Vjen epoka e akullnajave

Trioja më e dashur e adhuruesve të filmit ‘Epoka e akullnajave’, Meni, Diego dhe Sidi, futen në aventurën më të madhe të jetës së tyre. Një kataklizmë ngjet në lëvizjen e kontinentit. Këta, të ndarë nga të tjerët, përdorin një akullnajë në vend të anijes dhe nisen në një rrugëtim të pashoq. Si heronj të vërtetë, ata sfidohen të bëjnë gjëra të papara deri atëherë. Në rrugën e tyre ata takojnë krijesa ekzotike të detit dhe ndeshin një botë të re. Bile, atyre u del punë edhe me piratët. Edhe Skratit i del punë me arrën e tij dhe arrin në një botë që një ketër nuk kishte arritur kurrë më parë.
Filmi i animuar ‘Ice Age – Continental Drift’ (Epoka e akullnajave – Lëvizja e kontinentit) është premiera e radhës që vjen në kinemanë ABC në Prishtinë.
Në filmin e zhanrit komedi e animuar, i cili zgjat 1 orë 34 minuta, luajnë Ray Romano, John Leguizamo, Denis Leary, Alan Tudyk, Wanda Sykes, Jeremy Renner, Jennifer Lopez, Queen Latifah, etj. Ndërsa regjia është bërë nga Steve Martino dhe Carlos Saldanha.
Premiera e këtij filmi do të jepet sot (e enjte) në ora 18:00 dhe në 20:00.
Ndërsa në terminin e orës 22:00 vazhdon të shfaqet filmi ‘Prometheus’ i zhanrit triler/fantastiko-shkencor/aksion/aventurë.
Një skuadër hulumtuesish gjejnë një shenjë për origjinën e njeriut në Toke. Kjo i qon në një udhëtim rrëqethës deri në skajet me të errëta të universit. Atje, ata duhet të bëjnë një luftë të tmerrshme për ta shpëtuar të ardhmen e njerëzimit.
Kohëzgjatja e filmit është 1 orë e 55 minuta. Në rolet kryesore luajnë Charlize Theron, Naomi Rapace, Michael Fassbender, Idris Elba, Sean Harris, etj. Ndërsa regjia është bërë nga regjisori Ridley Scott.