E Diel, 1 Nëntor 2026

'Vjena', nis nga puna komisioni hetimor, Kadilli: Siguroj Edi Ramën për hetim serioz

TIRANË- Ka nisur sot rreth orës 17:00 mbledhja e parë e komisionit "për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës", mes kreut të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka. Në komision, opozita nuk kishte dërguar asnjë përfaqësues, ndërsa mazhoranca miratoi rregulloren, sekretaren e këtij komisioni dhe datën për mbledhjen e radhës.

Në nisje të tij fjalën e mori kreu i këtij komisioni, Fatbardh Kadilli, i cili tha se në Vjenë është cenuar dinjiteti i një diplomati shqiptar dhe për këtë ky komision zotohet se do zbardhë të vërtetën.

“Do bëjmë hetim të plotë të thellë e të paanshëm. Ky incident kapërcen kufijtë e një incidenti, është cënuar dinjiteti i jo vetëm një diplomati, por edhe i Shqipërisë në opinionin ndërkombëtar”, tha ai.

Duke qënë se opozita nuk kishte dërguar përfaqësues në komision, kryetari Kadilli siguroi këtë forcë por edhe Edi Ramën për një hetim të përgjegjshëm që ka si qëllim vetëm nxjerrjen në pah të së vërtetës.

“Opozita nuk ka dërguar përfaqësues të saj në këtë komision. Kam përgjegjshëmëri që me punën e këtij komisioni të adresojmë edhe qëndrimet e fshehura publikisht edhe nga opozita rreth asaj që ndodhi në akademinë diplomatike të Vjenës. Siguroj Ramën që kemi vullnet t’ju dëshmojmë shqiptarëve të vërtetën dhe asgjë më shumë”, tha ai.

Luciano Boçi dhe Osman Metalla kërkuan përshpejtimin e punimeve të komisionit për shkak se siç theksuan ata, dhe pak ditë dhe Parlamenti mbyll punimet.

Ndërsa Gert Bogdani propozoi që personat prezentë në takimin në Vjenë ose të paraqiten fizikisht në komision, ose me ta të realizohen video konferenca.
“Ata që kanë dijeni u bëj thirrje të vijnë të bëjnë një dëgjesë në komision, por mund të përdorim dhe mënyra më të shpejta në kohë, video konferenca apo konferenca përmes skype etj”

Pas kësaj kryetari i Komisionit Kadilli hodhi për miratim propozimet të cilat u miratuan vetëm me votat e mazhorancës.

“Plani hetimor quhet i miratuar, autorizojmë znj. Hoti në cilësinë e sekretares të marrë kontaktin me administratën e kuvendit qoftë për ardhjen fizikisht të personave që janë të interesuar ose telekonferenca dhe videokonferenca nëse ka mundësi. Të bëhen listat që do ftohen për këto dëgjesa dhe propozoj të enjten të miratojmë listën e personave që do ftohen në këtë komision hetimor. Pra sot miratuam rregulloren e brendshme planin hetimor dhe mbledhjen e radhes që është të enjten, orën do e njoftojmë së shpejti”, tha Kadilli. 

Pritet që më 20 maj ky komision të miratojë raportin përfundimtar. Ndërkohë që Parlamenti do t'i mbuyllë punimet e tij më 8 Maj.
(m.a/d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: 'Vjena', nis komisioni hetimor, Kadilli: Siguroj Edi Ramën për hetim serioz

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›