E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjeshta e njerëzve në vendet e gabuara

03-10-2011 / Redaksionale

Qe kjo vjeshte do ishte stine lajmesh dhe zhvillimesh politike askush nuk kishte dyshim për disa arsye. Humbja e Rames ka sjelle nevojën për një trend të ri të opozitës. Presidenti aktual i republikës është i ndërgjegjshëm nga ana tjetër se një mandat i dytë është pothuaj mision i pamundur. Dhe së fundmi mazhoranca duhet të ruaje rolin lider të politikës në mënyrë dinjitoze, sidomos duke patur parasysh raport progresin e BE mbi Shqipërinë dhe zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013. Në këto kushte tematika e lajmeve ka qenë marramendëse aq sa edhe ngjarjet që e prodhojnë atë. Po ashtu edhe personazhet që e prodhojnë politikën po “lëvizin” nxitimthi të vendosen në pozicionet e tyre. Kjo situatë kërkon pra ti nënshtrohet analizës se çfarë po ndodh, dhe ç’po bëhet e ç’po bëjnë faktorët e sipërpërmendur politikë e vendim-marrës.
Le ta fillojmë nga e para ndër arsyet e debatit politik të kësaj vjeshte. Edi Rama pasi i provoi të gjitha mënyrat për të ardhur në pushtet si përfundim humbi të vetmin pushtet që kishte fituar, atë që i jepte bashkia e Tiranës. E nisi drejtimin e partisë së tij si obstruksionist “par excellence” në vitin 2005 dhe nuk i fitoi dot zgjedhjet lokale të 2007. Në dy vitet që do pasonin u soll befas si shpëtimtar me anë të “politikës së re” dhe e ktheu fjalorin politik në standardet e viteve 1997-2001. Verdikti i votës së shqiptarëve qe mëse elokuent. Humbje dhe mbrapaktheu në opozitë. Pas humbjes së 2009 bëri edhe gabimin e tretë dhe fatal. Kërkoi nëpërmjet mjeteve revolucionare të dhunshme të rrëzonte nga pushteti një qeveri të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe demokratike. Gabim i rëndë si teorik dhe aq më tepër praktik. Dhe ky gabim kaq i madh do t’i sillte dhe humbjen më të madhe të karrierës së vet politike, humbjen e bashkisë për të cilën ka qenë aq krenar dhe i vetëbindur se i takonte vetëm atij.
Te treja trendet e Ramës në këto 6 vite opozitë të çimentuar e ka vënë atë dhe opozitën në një pozitë shumë të vështirë. Lëvizjet e  aleatëve të tij po ashtu janë të denja për fjalë kryqe absurde. Kujt i shkonte mendja fjala vjen se nga goja e një prej themeluesve të PD do dilte 10 ditë më parë shprehja në cilësinë e zëdhënësit të së majtës, se “opozita e majtë është më e bashkuar se kurrë”?! E po aq e pakuptimtë është të jesh opozitar saqë mbledhja e fundit e opozitës u zhvillua në zyrat e një partie, kryetari i së cilës të nesërmen del e thotë në gazeta se “kthimi në koalicion me Berishën nuk është i pamundur”?! Dhe ironia më e madhe i takon dhe njërit prej ideologëve të opozitës së majtë që në mes të këtyre zhvillimeve intensive politike, boton një libër me kujtime a thua se e ka mbyllur me politikën!
Por për t’iu kthyer veprimit dhe jo individëve, kaosit i jepet formë nëpërmjet propozimit me 10 pika të Ramës. Në parimin “në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, Rama propozon një reformë institucionale me njërën dorë dhe me tjetrën kërkon ta godasë në thelb disa institucione duke i trajtuar si plaçkë lufte.
Ndërkohë le të hidhemi në fundin tjetër të bulevardit, përkatësisht në godinën e Presidencës. Në trilemën mes pamundësisë për t’u rizgjedhur, pranimit të tërheqjes së mundshme nga politika dhe pasionit për t’iu kthyer politikës aktive, Presidenti është pozicionuar keq. Jo vetëm sepse rikthimi i një presidenti si i yni në politikë aktive është i paprecedent ashtu si edhe ne vende perëndimore nga ku e kemi marrë modelin kushtetues. Por mbi të gjitha sepse krahu i vet i djathtë, nënkryetari KLD po kërkon me çdo kusht që të hapë një debat politik që synon përçajë shqiptarët për arsye etnike dhe fetare. Ky zell i zëvendësit të Topit që supozon të jetë kreu i shtetit që bashkon dhe nuk ndan qytetarët e vendit të tij, përfundimisht i hap rrugën gabimit të pritshëm të pas presidencës.
Po mazhoranca ku po qëndron? Në vend të gabuar apo aty ku i takon? Ashtu si gjithnjë në këto 6 vite, Berisha edhe një herë po tregon se është i vetmi protagonist i madh politik që orientohet si duhet. E për më tepër shtyn dhe tërheq kundërshtarët nga ose drejt pozicioneve natyrale. Ramën është përpjekur vazhdimisht ta fusë në institucione kur opozita duhet të marrë përgjegjësitë e veta në parlament dhe reformat ë nevojshme. Ashtu siç i ka rezistuar opozitës kur ajo ka kërkuar t’i zgjidhë mosmarrëveshjet në rrugë jashtë konteksteve normale. Javën e fundit PD nuk është “zvogëluar” para paketës së lëshuar nga Rama për të ndarë pushtetin në tavolinë në këmbim të ndonjë raportimi të tipit “last minute” të ndërkombëtarëve. Berisha nuk mundet të banalizojë reformat integruese në një pazar emërimesh të disa krerëve të institucioneve kushtetuese. Ky normalitet i mazhorancës shkrihet në të gjithë koalicionin qeverisës për më tepër. Duke i njohur opozitën, Presidentin dhe mazhorancën nuk pritet që me ikjen e vjeshtës të ndryshojë ndonjë gjë. Mundësitë që mazhoranca të gabojë dhe opozita e Presidenti të korrigjohen është e vogël. Ndaj këtë vit nuk duhen pritur surpriza, por një situatë zgjatim i viteve të fundit politikë. Secila palë do qëndrojë në vendet e veta, se kush e fiton e kush humb ka qenë e qartë që përpara kësaj vjeshte.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›