E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje për njohjen e titujve të studimit

09/03/2010 Lidhet marrëveshja e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit të Kosovës

Miratohet njohja e titujve të studimeve ndërmjet universiteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës. Drejtuesit e dikastereve të arsimit të dy vendeve, Enver Hoxhaj dhe Myqerem Tafaj, kanë nënshkruar gjatë ditës së djeshme një marrëveshje bashkëpunimi, ku ndër të tjera nënvizojnë se do të hartohen diploma të përbashkëta ndërmjet strukturave të arsimit të lartë. Në këtë mënyrë, studentët që do të frekuentojnë universitetet publike të Kosovës do të mund të vijojnë studimet e mëpasshme në vendin tonë pa qenë nevoja që të konvertojnë apo certifikojnë pranë Ministrisë sonë të Arsimit diplomat e fituara. Po e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për studentët shqiptarë që do të shfaqin dëshirën të ndjekin programet pasuniversitare në strukturat publike të arsimit të lartë të Kosovës. Njohja e titujve të studimit do të shoqërohet edhe me përshtatjen e kurrikulave dhe programeve mësimore që do të ofrohen në të dyja vendet. Marrëveshja parashikon hartimin e diplomave të përbashkëta sipas standardeve të Bashkimit Evropian si dhe mbështetje për studentët e doktoraturës duke shtuar numrin e kuotave për studentët nga Kosova. Brenda një kohe të shkurtër ministritë e dy vendeve pritet të zbardhin të plotë aktet mbi të cilat do të realizohet ky bashkëpunim. Pikat kryesore në të cilat mbështet marrëveshja prekin bashkëpunimin jo vetëm në fushën e kurrikulave në sistemin universitar, por edhe atë parauniversitar, si dhe në shkëmbimin e nxënësve, studentëve dhe profesorëve. Lidhur me këtë marrëveshje ministri i Arsimit Myqerem Tafaj ka pohuar se po punohet për intensifikimin e bashkëpunimit qeveritar duke zhvilluar politika arsimore brenda kornizës evropiane, që do t’u shërbejnë objektivave të përbashkëta në fushën e arsimit dhe të shkencës. Për këtë parashikohet një bashkëpunim më i ngushtë në realizimin e projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor dhe novacionit në fushën e nëntokës, shkencave albanologjike, mjedisit etj. Kjo marrëveshje gjithashtu do të sigurojë mbështetje për universitetin e Prizrenit me staf akademik dhe hartimin e kurrikulave. Gjatë vizitës zyrtare Ministri Hoxhaj dhe delegacioni që e shoqëron pati takime me Kryeministrin Sali Berisha dhe më pas një takim me Presidentin e Republikës Bamir Topi. Gjatë ditës së djeshme delegacioni ka vizituar edhe shkollën 9-vjeçare “Sadik Stavaleci” në Kashar, gjatë së cilës u bë binjakëzimi me shkollën “Gjon Buzuku” të Prizrenit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›