Vlerësimi i dëmeve pas tërheqjes së ujërave
13/01/2010 Përfaqësues të ministrive të linjës dhe pushteti vendor do të angazhohen në proces
Pas evidentimit të dëmeve, përpilohet fatura financiare që do i kalojë qeverisë për miratim
Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e mëdha gjatë ditëve të fundit do të vlerësohen pas tërheqjes së ujërave dhe më pas do të dëmshpërblehen. Mësohet se institucionet përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara do të nisin menjëherë nga puna në terren pasi të jenë tërhequr ujërat, që deri tani kanë përmbytur mbi 10 mijë hektarë tokë. Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara do të bëhen nga grupet e punës, që do të përbëhen nga përfaqësues të ministrive dhe pushtetit vendor. Kështu, do të jenë ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ministrisë së Brendshme ata që do të dalin në zonat e prekura për të bërë verifikimin e dëmeve. Ata do të ndihmohen edhe nga punonjës të qeverisjes lokale në gjithë angazhimin për vlerësimin e dëmeve. Në këtë proces vlerësimi do të përcaktohen dëmet që kanë pësuar shtëpitë dhe orenditë shtëpiake, që u përfshinë nga përmbytjet, të cilat u evakuan nga të zotët. Në rast se do të vlerësohen dëmet serioze në shtëpi të caktuara, atëherë mendohet të ndërhyjë vetë ALUIZNI. Do të evidentohen dëmet në parcelat e përmbytura në tokat bujqësore, serrat, do të numërohen humbjet e bagëtive që kanë pësuar banorët e zonave të përmbytura. Vlerësim do të bëhet për makineritë bujqësore të banorëve të komunave si dhe automjeteve të dala jashtë përdorimit nga përmbytjet.
Grupet e punës, të përbëra nga përfaqësues të qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal, do të ngrihen menjëherë sapo situata të jetë qetësuar, uji të jetë larguar dhe të jenë hapur përfundimisht rrugët. Qeveria është shprehur qartë se do të dëmshpërbleje banorët e zonave të prekura nga përmbytjet. Vetë kryeministri Sali Berisha ka deklaruar prerazi se qeveria e tij do të paguajë deri në qindarkën e fundit të gjithë banorët e këtyre zonave për dëmet që iu shkaktuan. Sigurisht, procesi kërkon pak kohë. Pas evidentimit të dëmeve nga ana e grupeve të punës do të përpilohet fatura financiare, e cila do t’i kalojë Ministrisë së Financave. Më pas kjo ministri do t’ia kalojë për miratim qeverisë këtë faturë financiare. Gjatë ditëve të fundit kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar vizita të zonat e përmbytura. Ndërkohë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topallo, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ai i Mbrojtjes Arben Imami e ministra të tjerë janë në këtë pjesë të vendit, duke garantuar banorët për gatishmërinë e shtetit shqiptar.
Rasti i Gërdecit
Institucionet e shtetit shqiptar u përfshinë në vlerësimin e dëmeve në rastin e tragjedisë së Gërdecit. Qeveria ngriti grupet e punës për të vlerësuar dëmet që ishin shkaktuar në atë zonë të prekur nga shpërthimi. Në rastin e shpërthimit në Gërdec, në vlerësimin e dëmeve atje vlerësimi u bë nga ekspertë të ALUIZNI-t, pasi dëmet kryesore u ishin shkaktuar shtëpive. Edhe në rastin e përmbytjeve në komunat e qarkut të Shkodrës pjesë e grupeve të vlerësimit mund të jenë përfaqësues të ALUIZNI-t, vetëm nëse do të vlerësohen dëme në shtëpi.