E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi i votave në kutitë e gabuara, nga Kodi Zgjedhor

Raporti, i miratuar të premten nga KQZ-ja vetëm me votat e shumicës, një nga pikat më të rëndësishme të tij ka çështjen e debatueshme të fletëve të hedhura gabim dhe të numëruara nga KQZ-ja në zgjedhjet për bashkinë e kryeqytetit.

“Rekomandimi i bërë nga OSBE/ODIHR-i është se numërimi, vlerësimi dhe trajtimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor, duke adresuar nevojën e parashikimit dhe rregullimit në ligj të këtij problemi të evidentuar edhe në proceset zgjedhore pararendëse, por jo të fokusuar e shtruar për zgjidhje”, thuhet në raportin e KQZ-së.

Sipas tij, zgjedhjet e vitit të shkuar, përveç polemikave dhe politizimit, u vlerësuan nga OSBE/ODIHR-i. “Në raport, zgjedhjet e 8 majit 2011 vlerësohen nga arbitri ndërkombëtar si kompetitive dhe transparente. Kompetiviteti dhe transparenca e vlerësuar, si shtylla kryesore të ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve, janë vlerësime të çmuara për arritjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri”, citohet raporti i KQZ-së.

Një pikë e debatuar në zgjedhjet e 8 majit ishte dhe mospërputhja e numrit të votuesve dhe fletëve që u cilësuan si të vlefshme. “Gjatë këtij vlerësimi, meqenëse votat e hedhura në kutitë e gabuara ishin vlerësuar si të pavlefshme nga grupet e numërimit, KQZ-ja pakësoi numrin e votave të pavlefshme në kutinë ku ato u gjetën dhe rriti numrin e votave të vlefshme, për aq sa u vlerësuan të tilla, në kutinë së cilës i përkisnin. Në këtë kuptim, ndryshoi ‘balanca’ që ishte më parë midis fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe shumës së votave të vlefshme me ato të pavlefshme në kutinë e llojit përkatës dhe rrjedhimisht, në tabelën përmbledhëse”, sqarohet në raport.

Raporti vjetor mbi punën e KQZ-së pritet të paraqitet në Kuvend në seancën plenare të së enjtes (1 mars).
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-25 12:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›