E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlerësohet roli i diplomacisë shqiptare për Kosovën


Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka marrë mesazhe falënderimi nga homologë të ndryshëm evropianë, pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilët shprehin vlerësimin e tyre për rolin e diplomacisë shqiptare në çështjen e Kosovës si dhe mbështetjen e plotë për konsolidimin e shtetit të ri.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë thuhet se zëvendëskancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Guido Westerwelle shprehet se "pavarësia e Republikës së Kosovës dhe integriteti i saj territorial për Gjermaninë janë fakte të pamohueshme, të cilat nuk vihen në pikëpyetje", duke shtuar se tashmë është mbyllur pjesa juridike dhe se ka ardhur koha për dialog, duke pasur parasysh njëkohësisht se "e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës gjendet në Bashkimin Evropian".
Ndërsa homologu austriak, Michael Spindelegger, në letrën e tij shprehet se opinioni i GJND-së hap rrugën për njohje të reja dhe ofron shpresë për zhvillimin socio-ekonomik të shtetit të ri. Ai shton se nisja e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës do të jetë në radhë të parë në interes të qytetarëve që jetojnë në të dy shtetet.
"Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për qasjen tuaj të qartë dhe të ekuilibruar në çështjen e Kosovës fqinje. Ju sigurojë për angazhimin tim të mëtejshëm në shërbim të progresit të marrëdhënieve serbo-kosovare si dhe për vazhdimësinë e procesit të integrimit evropian për të gjithë vendet e Evropës Jug-Lindore", shprehet Spindelegger.
Gjithashtu, në një letër drejtuar ministrit Meta, ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nickolay Mladenov, shpreh kënaqësinë për pozicionet e njëjta të të dy vendeve për sa i përket "nevojës për të ndërtuar një Kosovë të qëndrueshme, në paqe, demokratike dhe multi-etnike".
Mladenov shpreh bindjen se opinioni këshillimor i GJND-së do të hapë rrugën për "fillimin e një faze të re në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për krijimin e besimit reciprok, kaq të nevojshëm në rajon".
Në përfundim të letrës së tij, Mladenov e siguron ministrin Meta se Bullgaria e "konsideron dialogun konstruktiv mes Prishtinës dhe Beogradit si një hap esencial për zhvillimet pozitive në Ballkanin Perëndimor" dhe se vendi i tij "do të jetë i gatshëm të bëjë maksimumin për suksesin e këtij dialogu brenda kornizës së Bashkimit Evropian".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›