Vlerësojnë ndihmën për trashëgimi
Ministri Krasniqi e informoi ambasadoren Jacobson me të arriturat që janë bërë deri tash në këto fusha, në veçanti në atë të trashëgimisë kulturore. Ai ritheksoi faktin se trashëgimia mbetet një prioritet i MKRS-së dhe do të punohet edhe për më shumë të arritura në të ardhmen, që shkojnë në funksion të një mbrojtjeje dhe promovimi më të mirë të trashëgimisë. Ai theksoi se Kosova ka një trashëgimi të pasur me diversitetin e saj dhe kjo, tha ministri, paraqet një vlerë unike që duhet të çmohet nga të gjithë, pa dallim.
Ministri Krasniqi e falënderoi ambasadoren Jacobson për ndihmën që shteti i saj ka dhënë në çdo segment në Kosovë, e në veçanti tek trashëgimia kulturore por edhe sporti. Ai përmendi fondin 1.5 milionë dollarësh që vitin e kaluar Ambasada Amerikane ka ndarë për restaurim të disa monumenteve në Kosovë. Po ashtu ai shprehu falënderim për shumë projekte të tjera në trashëgimi që Ambasada Amerikane po ndihmon dhe do të ndihmojë në të ardhmen. Ai shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Ambasadës, por edhe me partnerë tjerë që japin një kontribut të çmuar në këtë drejtim.
Nga ana e saj, Ambasadorja Jacobson shprehu përgëzime për ministrin për punën që është bërë deri tash në të gjitha fushat që mbulon MKRS-ja, por veçanërisht në trashëgimi. Jacobson tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen. Ajo rikonfirmoi se mbështetja e Ambasadës në projekte të tjera të trashëgimisë do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.