E Diel, 1 Nëntor 2026

Disiplina liron tri lojtarë nga Apolonia

Vendimi Miroviç, Jevdeviç e Mudresan fitojnë “betejën”. Shtyhet çështja “Plaku”

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka “liruar” tri lojtarët Goran Miroviç, Milos Jevdeviç dhe Petar Mudresa nga Apolonia. Ata do të jenë futbollistë të lirë, pasi kanë fituar “betejën” në komisionin e FSHF-së, pas mospërmbushjes së detyrimeve financiare nga ana e klubit fierak, që në sezonin e ri do të luajë në Kategorinë I. “Kërkesat e lojtarëve Goran Miroviç, Milos Jevdeviç dhe Petar Mudresa për zgjidhjen e kontratës me Apoloninë, janë pranuar. Kjo, pasi siç provohet nga materialet e paraqitura, klubi nuk ka shlyer detyrimet financiare të futbollistëve sipas kontratës për periudhën mars-qershor 2010, si dhe për këstin e pagueshëm, veç pagesave mujore. Shpjegimet e dhëna nga përfaqësuesit e klubit për shtyrjen e pagave janë në kundërshtim me kontratën dhe me rregulloren. Gjithashtu nuk lejohet as aplikimi i sanksioneve nga ana e klubeve me vlerë më të madhe sesa paga e një muaji të sportistëve për mosrealizimin e objektivave të skuadrës”, theksohej në vendim. Disiplina ka vazhduar të mos marrë asnjë vendim për çështjen “Sebino Plaku”, i cili ka kërkuar largimin nga Tirana. Sulmuesi është bashkuar me Flamurtarin, por kartoni i tij zotërohet ende nga presidenti i bardhebluve, Refik Halili.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›