Vllaznia barazon, tifozët polemizojnë me stafin

ASA (Albania Sport Agency)- Tifozeria shkodrane hodhi jo pak thirrje në formë akuzash ndaj drejtuesve, stafit teknik dhe lojtarëve kur Vllaznia arriti një barazim (1-1) dëshpërues (me shumë dyshime) ndaj finalistes së Kupës, Besës së Kavajës, që ndodhet në vendin e pestë me 16 pikë larg formacionit të Josës. Ky ishte barazimi i dytë 1-1 midis ekipeve këtë sezon.
Vllaznia ndali mënyrë jo bindese serinë prej pesë fitoresh rresht, duke u kthyer në një "fantazmë" të vetvetes, njëlloj si në ndeshjen e humbur 0-2 me Shkumbinin në shtëpi.
Sulmuesi Xhihani (25') shënoi për Besën pas asistit të Elokan, ndërsa Vllaznia barazoi me anë të mbrojtësit veteran Suad Lici, që shënoi në minutën e tretë shtesës së parë me anë të 11-metërshit.
Pjesa e dytë ishte thjesht një ritual zevendësimesh nga dy trajnerët për të vulosur barazimin e 31-të në 121 takime (57 fitore Vlaznia, 33 Besa). Vllaznia do të përballet javën e ardhshme në kryqytet me Partizanin ku varen edhe fatet europiane të dy ekipeve.
VLLAZNIA-BESA 1-1
Golat: 45+3' Suad Lici 11-m / Xhihani 25'
PERBALLJET SEZONALE VLLAZNIA-BESA
Tri fazat: 1-1, 1-0, 1-1