Vllaznia e Flamurtari, sot shanset e fundit
SHKODER-Vllaznia dhe Flamurtari luajnë shanset e fundit për t’iu larguar zonës së rënies nga kategoria, teksa të dyja do t’i zhvillojnë në shtëpi ndeshjet e javës së 14-të. Vllaznia do të presë sot në “Loro Boriçi” Kastriotin, skuadër nga e cila është mundur në fazën e parë. “Ekipi ynë i ka synimet të qarta për këtë ndeshje, - deklaroi dje trajneri Roland Luçi. - Në këto momente kërkojmë vetëm tre pikët, sepse nuk ka alternativë tjetër. Nuk kemi luksin të mendojmë se kjo është një ndeshje e lehtë. Këtë u kam kërkuar të gjithë lojtarëve, të cilët nuk duhet ta nënvlerësojnë aspak kundërshtarin. Do të ishte një fatalitet për ne, nëse nuk fitojmë, por s’duhet të futemi në fushë me mendimin se e kemi të marrë fitoren”, shtoi trajneri i Vllaznisë. Ndërkohë situata te Flamurtari duket disi më e rëndë. Vlonjatët do të presin sot Skënderbeun dhe alternativa e vetme është fitorja, ndryshe gjithçka komplikohet.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)