Vllaznia, ekipi i ri vetëm me shkodranë
Tashmë gjithçka është e qartë për shkodranët, ekipi i tyre, Vllaznia, u përdor keqas nga politika dhe ka mbetur si mos më keq. Kur skuadrat e tjera kanë ngritur bazat dhe janë në përforcime e sipër, te kuqeblutë ka akoma mjegull dhe nuk dihet ende kur do të dalë një rreze dielli. Agron Çela nuk do të financojë më dhe sërish Vllaznia do të jetë në dorë ta Bashkisë Shkodër, me president Lorenc Lukën, për të vijuar pastaj me një dyzinë drejtuesish të tjerë, teksa bëhet një varg i madh. Por vetëm futbollistë nuk ka. Tashmë nuk flitet për blerje cilësore, por vetëm për eksode. Dany Dragoi po ikën për në Vlorë, Vujadinoviç kërkon skuadër tjetër, ndërsa afrimi i shkodranëve cilësorë që luanin nëpër ekipet e tjera mbetet tabu, pasi me këtë situatë asnjëri nuk rikthehet. Por çfarë plani kanë drejtuesit shkodranë? Nga ajo që të paktën përflitet këto ditë, është nënshkrimi i kontratave me futbollistë cilësorë nga moshat, që për hir të së vërtetës Vllaznia i ka me shumicë. 19-vjeçarët kanë zënë vendin e tretë, ndërsa 17-vjeçarët janë shpallur kampion. Pikërisht me elementë të këtyre skuadrave do të ndërtohet edhe Vllaznia e këtij sezoni. Ndërsa për pretendime as që bëhet fjalë, ndërkohë që edhe financat do të jenë me pikatore.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)