Skënderbeu, fundi i një cikli, apo gati për suksesin europian?
Duket se Skënderbeu ndodhet në një udhëkryq, pavarësisht trumbetimit për të kaluar një tur në Ligën e Kampioneve. Duke e krahasuar me rivalët e dy sezoneve të mëparshme, APOEL Nikosia dhe Debrecenin, kundërshtari i sivjetshëm, Neftçi Baku, është disi më i lehtë, të paktën në letër. Por nëse rivali është përforcuar ditët e fundit, Skënderbeu duket se është dobësuar, edhe pse Morina fitoi të drejtën të luajë. Largimi i Plakut, çoroditja e Pejiçit nëpër Kinë, me siguri që do të ndikojë jo pak tek ekipi korçar. Afrime të tjera nuk ka, ndërkohë që shumë lojtarë kanë disa sezone që luajnë për këtë skuadër, pa harruar që edhe mosha për disa prej tyre (Gvozdenoviç, Shkëmbi, Shehi) bën të vetën. Ndryshimi politik që ka marrë vendi, me siguri do të reflektohet edhe te kampionët në fuqi, që duket se fazat përgatitore më shumë i realizojnë për "show" se sa realisht për t'u përgatitur. Humbjet e thella në miqësore, si në janar, ashtu edhe tani në verë kanë lënë hije dyshimi, që edhe shtypi sportiv i ka ngritur. Ndërkohë që presidenti Takaj gjen alibi për humbjen e fundit, teksa thotë: "Humbëm vetë që mos binim në sytë e spiunëve të kundërshtarit të Neftçit në Champions". Kjo duket qesharake. Gjithsesi, duket se cikli i Skënderbeut ka përfunduar, pavarësisht trumbetimit që bëjnë korçarët për të kaluar me patjetër një tur në Ligën e Kampioneve. Gjërat më qartë do të shihen pas 17 korrikut, pikërisht kur në Baku, Skënderbeu do të luajë ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve për këtë sezon.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)