E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, ekipi më i mirë shqiptar në botë Skuadra shkodrane, sipas Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), renditet në vendin e 267-të me 73 pikë. Marseja e kapitenit Lorik Cana është ekipi i parë i legjionarëve tan

Vllaznia, kryesuesja e Kategorisë Superiore në kampionatin shqiptar është skuadra e vetme nga vendi ynë që renditet midis 350 ekipeve më të mira të botës të listuara në periudhën kohore midis 1 dhjetorit 2007 e deri më 30 nëntor 2008. Fituesja e Kupës së Shqipërisë, sipas Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), renditet në vendin e 267-të me 73 pikë, po aq sa skuadra siriane Al-Ittihad Aleppo dhe ajo suedeze Elfsborg.

Vllaznia bëri një paraqitje të mirë në Kupën UEFA, teksa eliminoi në turin e parë eliminator sllovenët e Koperit (fitoi 2-1 në Slloveni, barazoi 0-0 në “Loro Boriçi”). Në turin e dytë eliminator skuadra shkodrane u shkërmoq nga Napoli, që fitoi 3-0 në Shkodër dhe 5-0 në “Sao Paolo” të Napolit.

Gjithsesi, prezantimi i klubit më të vjetër shqiptar në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm evropian ishte në përgjithësi i pëlqyeshëm. Skuadra më e famshme shqiptare edhe sot e kësaj dite mbetet Flamurtari i Vlorës, që ka mburritur deri në turin e tretë të një kompeticioni evropian.

Ekipet e shqiptarëve

Marseja e kapitenit Lorik Cana është ekipi i parë që shfaqet në listën e 350 ekipeve më të mira. Skuadra franceze ndodhet në vendin e 28-të me 172 pikë.

Anorthosis Famagusta i portierit Arjan Beqaj ndodhet në vendin e 90-të me 126 pikë. Lacio e drejtorit sportiv shqiptar Igli Tare ndodhet në vendin e 120-të me 108 pikë.

Arisi i Selanikut i Kristi Vangjelit në vendin e 140-të me 99 pikë. Vorskla Poltava e Debatik Currit dhe Armend Dallkut ndodhet në vendin e 284-t me 71.5 pikë.

Omonia e Klodian Duros renditet e 310-a me 67 pikë. Hanoveri i Altin Lalës ndodhet në vendin e 315-të me 66 pikë. Apoel i Altin Haxhit ndodhet në vendin e 337-të me 63 pikë.

E Enjte, 04 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›