E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia feston sot 90 vjetorin e themelimit të saj

Shkodër - Vllaznia e Shkodrës do të festojë sot 90 vjetorin e themelimit të saj. Futbollistë dhe sportistë të tjerë, tifozë, dhe qytetarë të ndryshëm shkodranë, do të jenë pjesëmarrës në festën që do të organizohet sot përpara takimit me Flamurtarin e Vlorës i vlefshem për javën e 25-të. Në stadiumin “Loro Boriçi” pritet të jenë edhe shumë personalitete të tjerë nga fusha të ndryshme, të cilët do të mbërrijnë në Shkodër nga i gjithë vendi.

Klubi Vllaznia është themeluar më 16 shkurt 1919. Drejtuesit shkodranë kanë menduar ta shtyjnë festën për ditën e sotme, me qëllimin e vetëm për t’i mundësuar sa më shumë dashamirësve pjesëmarrjen në të. Në ceremoninë e sotme do të prezantohet për herë të parë edhe himni i ri i klubit të Vllaznisë. Himni është kompozuar nga Shpetim Saraçi, dhe do të këndohet nga një emër tjetër i njohur, siç është Frederik Ndoci.

Pas festës, e cila pritet të mbledhë në stadium rreth 20 000 vetë, do të zhvillohet normalisht takimi Vllaznia-Flamurtari. Shkodranët ndodhen në krye të kampionatit në të njëjtën kuotë pikësh me Tiranën, me nga 45 pikë secila. Në ndeshjet e fundit Vllaznia ka treguar një superioritet të dukshëm ndaj Flamurtarit, dhe këtë e tregojnë 8 fitoret dhe 2 barazimet e marra në 10 ndeshje.

Përsa i përket festës, e cila do të vijojë edhe pas ndeshjes, klubi ka shpallur edhe skuadrën më të mirë shkodrane të të gjitha kohërave. Gjithashtu, bashkia e qytetit do të dekorojë me titullin “Qytetar Nderi” dy nga emrat më të njohur të sportit shkodran dhe atij shqiptar, Loro Boriçin dhe Qazim Dervishin. Emrin e të parit e mban sot stadiumi i qytetit, ndërsa emrin e të dytit e mban pallati i sportit.

Formacioni më i mirë i Vllaznisë gjatë historisë:

Paulin Ndoja
Hysen Zmijani
Muhamet Dibra
Fatbardh Jera
Ramazan Rragami
Sabah Bizi
Ferid Ragami
Luan Vukatana
Loro Boriçi
Medin Zhega
Vioresin Sinani

Trajner: Xhevdet Shaqiri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›