E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, gabimi në protokoll, përgjegjësi rrezikon largimin

Reagimi

Do të merren mesa të ashpra ndaj përgjegjësve që përpiluan protokollin e ndeshjes. Kjo është e reja e fundit që vjen nga kampi shkodran, për atë gafë në ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu e mbyllur në fushë 3-2 për kuqeblutë, por të cilën duket se do ta humbasë në tavolinë për gabim në protokoll, në lidhje me emrin e sulmuesit të ri, Ansi Nika. Në fund të ndeshjes ka ardhur reklamimi i korçarëve, të cilët kanë kontaktuar menjëherë me gjyqtarin e katërt dhe vëzhguesin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të deleguarin e saj. Lojtari është futur në fushën e lojës në minutën e 52, në vend të Doçit. Mosregjistrimi i emrit të lojtarit në protokollin e ndeshjes është cilësuar një gabim njerëzor nga drejtuesit e Vllaznisë. Drejtori organizativ i ekipit, Kujtim Shaba, sqaron: “Të them të drejtën, kur e kemi mësuar këtë fakt, na ka ardhur si bombë. Ne kishim planifikuar Bekim Balën që për ndeshjen ndaj Skënderbeut të ishte në pankinë dhe të aktivizohej në pjesën e dytë të ndeshjes. Ai nuk është paraqitur në ndeshje, ndërkohë që protokolli është plotësuar me emrin e tij. Kur kemi mësuar për mungesën e Balës, kemi marrë Nikën”. Por burime nga klubi i Vllaznisë theksojnë se do të merren masa të ashpra ndaj përgjegjësve, madje deri në largim posti. Ndër më të rrezikuarit është ndihmëstrajneri Esat Rakiqi, i cili është edhe personi që ka përpiluar protokollin.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›