E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani shpartallohet në Lushnjë, kalohet nga Kamza

Të kuqtë humbasin 4-0 ndaj rivalit direkt

Humbje shokuese e Partizanit në Lushnjë, që vë në rrezik edhe objektivin sezonal (promovimin në Kategorinë Superiore) tani kur duhen edhe katër ndeshje deri në përfundim të sezonit 2009-2010. Elbasani fiton bindshëm në shtëpi, duke mundur Burrelin 3-0, ndërsa Kamza kalon në një fitore të pastër 2-0 Skraparin dhe i rrëmben të kuqeve të Gerti Haxhiut vendin e katërt në tabelën e klasifikimit.

Emocione dhe shumë gola kanë dhuruar të tri ndeshjet e fundit të javës së 26, të vlefshme për Kategorisë së Parë. Takimet e kësaj jave, të cilat u shtynë për të dielën, ishin edhe duelet më të forta, të cilat mund të kenë edhe ndikim përcaktues në luftën për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Ashtu sikurse pritej, këto ndeshje kanë dhuruar emocione të shumta, por edhe janë shoqëruar me disa rezultate surprizë. Ajo që bie në sy dhe që rezulton në përmasa të paparashikueshme, ishte pikërisht humbja e thellë dhe shkatërruese e Partizanit, i cili u mund 4-0 në Lushnjë, nga skuadra vendase, rivale direkte e të kuqve për t’u ngjitur në Superiore. Kjo humbje ndikon në klasifikimin e Partizanit, i cili tashmë e shikon veten larg zonës për të luajtur të paktën në ndeshjet play-off, për të siguruar promovimin në elitën e futbollit shqiptar në sezonin e ardhshëm. Ndërsa shton oreksin e skuadrës lushnjare për realizimin e këtij objektivi. Mes tyre është luajtur një ndeshje e bukur e karakterizuar nga aksione të shumta për gol në të dyja portat. Takimi ka filluar me gol nga skuadra e drejtuar nga Artan Bano, e cila ka realizuar që në minutën e gjashtë, me anë të golashënuesit të saj, Byzhytit. Më pas, i njëjti lojtar shënoi edhe një tjetër gol në këtë ndeshje (të tretin për Lushnjën në minutën e 92), ku ka vulosur dështimin e skuadrës së Partizanit. Dopjeta tjetër e lagunarëve mban firmën e Pepës në minutat 65 dhe 94. Ndërsa Elbasani ka mundur pa shumë vështirësi 3-0 Burrelin. Kamza ka vuajtur jo pak me Skraparin, të cilin gjithsesi e ka mundur 2-0, nga një gol në minutat e fundit. Kujtojmë se ka humbur një penallti edhe Klevis Dalipi. Sikurse shihet, Elbasani konfirmon pozitat e tij në vendin e dytë në klasifikim, ndërsa Kamza me Lushnjën i ndjekin hap pas hapi verdheblutë. Ndeshjet e javës së ardhshme do të jenë jo pak vendimtare për to, kur dihet se Elbasani do të luajë në Skrapar, ndaj ekipit vendas, që rrezikon seriozisht për të zbritur nga kategoria, Kamza në Librazhd, ndaj Sopotit, që mban vendin e fundit dhe ka fare pak shpresa për të mbijetuar, ndërsa Lushnja do të ketë transfertën më të vështirë, në Ballsh, ndaj Bylisit, të promovuar tashmë në Kategorinë Superiore, falë diferencës prej 11 pikësh nga vendi i dytë, Elbasani.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›