E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia hakmerret me Dinamon, Tirana shpartallon Laçin

SHKRUAN: Jeton Selimi 12-04-2011 10:58

Dy sfidat e fundit të javës së 27-të janë mbyllur me fitoret e ekipeve vendëse. Në Shkondër Vllaznia ka mposhtur Dinamon 3-1, ndërsa në kryeqytet Tirana ka bërë ‘poker’ me kurbinasit

Dy ndeshjet e fundit të javës së 27-të i kanë buzëqeshur Vllaznisë së Mirel Josës. Kuqeblutë kanë bërë detyrën ndaj Dinamos, por kanë marrë në distancë dhuratën e Tiranës, që ka ndalur Laçin në “Qemal Stafa”. Kështu shkodranët e shohin veten +4 nga kurbinasit dhe ndjehen më të sigurt në objektivin e tyre të fundit të mbetur: pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Në “Loro Boriçi” luhet një ndeshje e bukur, kjo pasi vendësit janë të motivuar për ta mposhtur Dinamon dhe të kompletojnë kështu hakmarrjen ndaj bluve që i eliminuan pak ditë më parë nga Kupa e Shqipërisë. Skuadra e Mirel Joës e nis ndeshjen fort dhe do ta sulmojnë kuadratin e Haxhos që në minutat e para, por do të kalojnë disa çaste përpara se Sukaj të gjejë rrugën e rrjetës. Në minutën e 24-ët, talenti shkodran do ta çojë Vllazninë në epërsi të një goli, madje, nuk ka ndërmend të ndalet me kaq, pasi e përsërit veten vetëm pas 7 minutash, duke dyfishuar shifrat. Vllaznia ndjehet e sigurt, ndërsa Dinamo në tapet. Në pjesën e dytë, blutë e kryeqytetit do të arrijnë të shënojnë golin e vetëm pas një penalltie të ekzekutuar saktë nga Emiljano Vila, gol që duket se rihap ndeshjen në minutën e 56-të. Vllaznia do të vuajë disi derisa të fusë në kasafortë tre pikët në të 88-ën, kur do të shënojë dhe golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes.

Hyka merr për dore Tiranën

Është luajtur një takim vendimtar për vendin e katërt në tabelën e klasifiklimit mes Tiranës dhe Laçit. Janë vendasit që dominojnë plotëshisht ndeshjen dhe fitojnë me një rezultat të thellë. Loja fillon dhe në kontroll të topit vihen djemtë e Mishos. Ata shfrytezojnë çdo rast, edhe nga distance, duke tentuar portën, por portieri mik deri në minutën e 23-të ishte në krye të detyrës. Do të jetë pikërisht kjo minutë që do të sjellë edhe golin e parë të sfidës, kur Andi Lila depërton bukur në zonë, jep një top për Gilman Likën dhe ky i fundit, me pak vështirësi, shënon golin e parë. 1-0 për bardheblutë. Minutat që vijojnë bëhen edhe më të vështira për laçianët pasi ata vuajnë në mbrojtie, ku nuk kishin një repart të konsoliduar si në përballjet e fundit. Në këtë rast përfituesit direktë janë 24 herë kampionët, që i afrohen disa herë portës me Hykën dhe Gilman Likën, por pa mundur të shënojnë në rastet respektive. Vjen minuta e 29-të dhe Hyka nuk gabon. Topin e marrë nga Zizoviç e konverton në gol, 2-0 dhe kyeqytetasit duket se kanë larë hesapet me Laçin. Ky do të ishte dhe rezultati i fraksionit të parë të ndeshjes.

Në pjesën e dytë, miqtë bëjnë zëvendësime dhe kërkojnë që me anë të Dragiçeviç dhe Kastratit të rregullojnë gabimet e tyre. Të vëmendshëm janë në mbrojtje futbollistët e Tiranës pasi largojnë çdo top të rrezikshëm nga porta e Likës. U duk se loja do të përfundonte me rezultatin e arritur në pjesën e parë, por Vucaj ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Hykës dhe kryesori Pashaj akordon 11-metërsh. Gjuan Lila dhe gol, 3-0. Por Tirana e ka ruajtur edhe golin e katërt për të plotësuar pokerin ndaj Laçit. Është Jahmir Hyka që do të shënojë golin e dytë personal me një goditje të bukur nga brenda zonës. Pas kësaj fitoreje, Tirana ngjitet në kuotën e 41 pikëve, 2 më pak sesa Laçi i vendit të katërt.

Superliga – Java e 27-të

Rezultatet

Flamurtari – Kastrioti 1-0

Skënderbeu – Shkumbini 2-0

Elbasani – Besa 0-1

Bylis – Teuta 1-0

Tirana – Laçi 4-0

Vllaznia – Dinamo 3-1

Skuadra N F B H Gol P

1) Flamurtari 27 19 2 6 51-18 59

2) Skënderbeu 27 18 4 5 42-20 58

3) Vllaznia 27 13 8 6 30-20 47

4) Laçi 27 13 4 10 37-32 43

5) Tirana 27 10 11 6 33-21 41

6) Dinamo 27 10 7 10 38-35 37

7) Shkumbini 27 9 5 13 34-44 32

8) Bylis 27 9 3 15 35-45 30

9) Kastrioti 27 7 9 11 26-36 30

10) Teuta 27 7 8 12 23-30 29

11) Besa 27 7 8 12 22-34 29

12) Elbasani 27 4 3 20 24-61 12

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›