E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opinioni publik, sa i rëndësishëm dhe sa i manipulueshëm?

Ǒmund të mësojmë nga mënyra si u trajtua opinioni publik gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale në SHBA, sidomos teksa përgatitemi për një fushatë (duket e egër nga shformimet dhe rezistencat partiake që përvijohen dita-ditës paralel me reformën elektorale) mes forcave politike në Shqipëri?

Tradita e shkencave politike dhe shoqërore nuk i njeh as mëvetësi gjykimi racional e as largpamësi publikut. Pak a shumë, publiku është njësuar me turmën e patru. Në shekullin e kaluar, mendja publike është krahasuar me mendjen e tufës së gaforreve që instinktivisht rendin drejt asaj ane të akuariumit nga vjen drita sapo shkencëtari manipulues hedh në ujë kimikatin e duhur. Ende sipas teorisë së filozofit-mbret të Platonit, besohej se veç një grup elitor, i përgatitur (me shkollë e gjenet e duhura) dhe i ndershëm, mund t‘i tregonte turmës të vërtetën dhe të ndalonte manipulimin e saj nga mediat dhe forcat politike. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit morën hov teori të reja që, ose i jepnin turmës pak aftësi rezistuese në opinion, ose gjenin mënyra jo nga lart për të fuqizuar syrin, mendjen dhe veprimin publik. Kështu nisi udhën dallimi masë-publik. Por teoritë nuk reflektojnë gjithnjë realitetin. Ato kryesisht pasqyrojnë modën akademike dhe kanë kufizime historike. Të kuptosh natyrën e opinionit publik, duhet të shohësh më mirë mënyrën si trajtohet dhe si reagon ai. Habermas vë si kushte për ekzistencën e sferës publike, legjitimitetin e garantuar të lirisë në këtë sferë, si dhe aftësinë kritike e kundërshtuese ndaj çdo institucioni pushteti.

Por po të ish i lirë, i pavarur dhe vetëveprues opinioni publik, a do shpenzonin veç Obama dhe McCain një miliard dollarë në fushatën e tyre? A do shpenzohej vallë 8 dollarë për çdo votë individuale të hedhur në kuti? A do krijoheshin mijëra reklama televizive nga më krijueset dhe joshëset (kuptohet edhe të kushtueshme) vetëm për t‘i bërë njerëzit të lëvizin në një drejtim a në tjetrin? A do bridhnin kandidatët në tre e më shumë shtete amerikane çdo ditë javën e fundit të fushatës? A do bënin vullnetarët e McCain 3 milionë telefonata shtëpi më shtëpi vetëm të shtunën e fundit para zgjedhjeve? Po të ishte racional dhe i ndikueshëm vetëm nga logjika, pra po të luhej bindja dhe jo manipulimi nëpërmjet influencës sipërfaqësore, a do merrte Obama për të bërë fushatë në Cleveland (Ohio) fundjavën e fundit para zgjedhjeve, Bruce Springsteen-in, të adhuruar nga klasa punëtore të cilën Obama nuk e ka ende nën kontroll? A do kish zgjedhur McCain si zëvendëse të vetën një grua kokëboshe me këmbë dhe të prapme të bukur?

Për fat të keq, opinioni i njerëzve bëhet i rëndësishëm sidomos para votimesh, tamam se-pse dhe për-aq-sa është i manipulueshëm. Sa më shumë të besohet se mendjet e njerëzve formësohen nga dora superiore e një propagandisti politik, aq më shumë para derdhen për këtë proces formësimi. Fushatat nuk bëhen duke bindur, por duke propaganduar…dhe kjo është e vërtetë sidomos në demokraci. Në rende jodemokratike nuk ka nevojë të shpenzohesh e të të dalë gurmazi (Hillary ngeli krejt pa zë ditët e fundit të fushatës së saj) në periudha zgjedhjesh, se problemet i zgjidh frika dhe terrori.

Dëshira për t‘i shpjeguar publikut opinionet dhe programet e veta, pa dyshim që ekziston nga ana e politikanëve civilë (po, unë besoj se ende ka të tillë), por themeli i lëvizjes së çmendur e fushatave zgjedhore është besimi se turma mund të manipulohet, blihet e mashtrohet, dhe jo nga pasioni për t‘i lënë asaj lirinë përfundimtare të deliberimit para votës. Nga një studim i Heilbroner në 1985-ën doli se një individ ekspozohej ndaj më se 2000 mesazheve publicitare në ditë. Prej tyre, përfundonte studimi, vetëm 80 mesazhe mbahen mend. E gjithë lufta ideologjike këto ditë para zgjedhjeve presidenciale, bëhet për të kontrolluar atë hapësirë ku jetojnë ato 80 mesazhe të uruara. Ndaj edhe është kaq e ashpër. Ndaj edhe mesazhet janë të mbistudiuara…jo si e si të shprehin të vërtetën sa më plotë e qartë që të jetë e mundur, por si ta influencojnë më fort, më shpejt e më rrënjësisht mendjen e individit. Synimi nuk është bindja, por manipulimi.

Sloganet e gjetura (ndër të cilët ai i Obamës "Ndryshim…Po, ne mundemi!" është i përsosur), celebriteti farfuritës (aktorë e këngëtarë që sillen nëpër SHBA me kandidatët), simboli njerëzor me të cilin luhet keqas (Joe hidrauliku qesharak, por efektiv që McCain shpiku si levë ndihme ditët e fundit), lodrat që bëhen nëpër shtyp, TV dhe Internet me reklamë dhe antireklamë, eksitimi i turmës që të thotë "Vriteni negrin!" për Obamën, dhe pastaj qetësimi i saj strategjik për t‘u dukur i distancuar nga racizmi, fushatat e frikës dhe sulmeve negative të përpiluara tradicionalisht me mjeshtëri nga republikanët, tufat spektakolare qindramijëshe që ndjekin kandidatët, dalja e kandidatëve nëpër shfaqje televizive komike me shumë shikues dhe vetëqesëndisja aktoriale e ideve që mbrohen me gjak jashtë studios …janë të gjitha rrugë që çojnë në atë që Jacques Ellul quan "manipulim njerëzor nëpërmjet krijimit të qarkut të shkurtër të të menduarit", dhe jo shtytje për deliberim racional e zgjedhje cerebrale.

Por vështrimi modern i fenomeneve sipas modës sot bëhet mbi parimin, "nëse s‘e ndryshon dot një fenomen…pëlqeje ashtu si është". Manipulimi zgjedhor i publikut nuk është i dëshirueshëm, por është i pashmangshëm…atëherë le ta përsosim e ta adhurojmë! Në këtë kuptim të fundit, me të cilin do mbetemi, opinioni publik amerikan këta muajt e fundit ka qenë në zjarrmi ngritëse. Ëndërr për çdo shoqëri civile…Oborret e shtëpive private janë të mbushura me slogane dhe emra kandidatësh, Halloween para pak ditësh shënoi një shitje të jashtëzakonshme maskash figurash politike, të rinjtë dhe njerëzit që nuk kanë votuar kurrë më parë ndjekin Obamën me entuziazmin politik të dashurisë së parë (që na gënjen mendja se është më e fuqishme sesa ajo e fundit)…dhe ky lloj entuziazmi pritet të zgjasë…, korporata amerikane mobilizohet të tregojë anën e bukur të ish-fytyrës së vet antisociale, dhe sido që ka siklete, shpenzon edhe ca para më shumë për fushatën, si Starbucks që premton kafe falas për çdo votues të martën…po pastaj pret që ndjenja subliminale t‘i rikthejë shpesh në atë vend "magjik" me erë kafeje ku atë mëngjes të zgjedhjeve të 2008 u ndjenë aq mirë…

Prapë cinizmi nxjerr krye diku…sepse ka bazë reale, por ka një aspekt që duhet parë me respektin e duhur në gjithë këtë lëvizje e aktivizëm fushator, sido që nuk dimë sesa është rezultat i manipulimit dhe sa i deliberimit individual e komunitar: Jo rezultatet e anketimeve, por pjesëmarrja në zgjedhjet paraprake është ndoshta treguesi i vetëm real i aktivizimit publik, cilat do qofshin premisat që e ndërtojnë atë. Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e lartë pjesëmarrja në zgjedhjet paraprake, dhe jo veç nga ana e konservatorëve, që të rregullt e të përkorë kanë shkuar të votojnë edhe më parë, para ditës së zgjedhjeve. Demokratët befasojnë kësaj radhe, se iu shmangën shpirtit liberal e spontanitetit për t‘i bërë gjërat në momentin e fundit (se shijon më shumë ashtu), dhe iu hodhën kutive të votimit paraprak me më shumë energji se çdo republikan sistematik. Në qytetin e Chicagos, gati gjysma e popullsisë ka votuar para së martës, dhe jo vetëm për të shmangur radhët e gjata para qendrave të votimit, por sepse njerëzit kësaj radhe duan të thonë fort "Yes. We can!" në njërin kamp, dhe në kampin kundërshtar ndihet frika e tensioni për t‘iu përgjigjur votë për votë entuziazmit obamor të këtyre votimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›