Vllaznia mësyn kryeqytetin: Do të sulmojmë
Trajneri Josa i ka idetë e qarta: Sukaj e Vajushi në repartin ofensiv. Presidenca kuqeblu bën të sajën: 10 autobusa falas për tifozët
Vllaznia e Mirel Josës është shndërruar nga skuadra apatike që nuk arrinte të mblidhte pikë në dy ndeshje radhazi, në një ekip të mirëvendosur në fushë dhe të frikshëm për çdo kundërshtar. Në Shkodër e kanë fare të qartë se me Josën që nga java e parë, Vllaznia do të kishte të tjera pozita në krye të tabelës dhe pse jo, do të luftonte me Flamurtarin dhe Skënderbeun për titullin kampion. Megjithatë, kuqeblutë duan të fitojnë të paktën një trofe dhe Kupa e Shqipërisë është e vetmja e mbetur në tavë nga objektivat e fillimsezonit. Mirel Josa e ka vendosur sesi do ta dërgojë Vllazninë e tij në finale. Trajneri tiranas e ka ndarë mendjen. Vllaznia e tij do të jetë krejt ofensive dhe për të vjelur maksimumin nga lojtarët e tij. Sukaj e Vajushi do të jenë titullarët për të shfrytëzuar shpejtësinë e tyre. “Ne nuk do të shkojmë nesër (sot) në Tiranë për t’u mbrojtur. E dimë që kemi një gol avantazh, por ama kemi pësuar edhe një gol në Shkodër, çka mund të na i komplikojë gjërat. Vllaznia kërkon finalen dhe këtë finale do ta arrijmë duke sulmuar,” ka deklaruar trajneri Mirel Josa ditën e djeshme.
Por nuk është vetëm Josa që e mendon kështu. Në Shkodër e ndjejnë Kupën shumë pranë, ndaj presidenca kuqeblu ka premtuar 10 autobusë për tifozët. Zëdhënësi i Vllaznisë, Gjergj Kola, konfirmon se në stadiumin “Qemal Stafa” pritet që të jenë të paktën 1 mijë shkodranë në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës.
Premio 50 mijë euro
Në fakt, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga ana e klubit shkodran në lidhje me premion e shumëdiskutuar një ditë më pra, por zëdhënësi Kola pohon se premio mbetet ajo e fillimit, pra 50 mijë eurot e premtuara në rast të fitores së Kupës së Shqipërisë. “Është folur shumë në lidhje me një premio ditët e fundit, por nëse do të ketë realisht një të tillë, atëherë ajo do të bëhet e ditur vetëm para ndeshjes. Ndërkohë, premio e vetme mbetet ajo e fillimit, pra 50 mijë euro në rast tirumfi në Kupën e Shqipërisë”.