Vllaznia, ndëshkimi i skuadrës shtyhet prej finales së titullit
Vllaznia mban nën tension futbollistët përpara ndeshjes finale me Tiranën, ku do të përcaktohet kampionia e Shqipërisë. Në mbledhjen e zhvilluar dje, bordi drejtues i klubit shkodran ka vendosur që të mos marrë asnjë masë ndëshkimore pas barazimit 1-1 me Lushnjën… të paktën për momentin. Në bazë të rezultatit të ndeshjes në kryeqytet, do të varet edhe gjoba financiare dhe e ardhmja e disa lojtarëve të kontingjentit. Rezultati i fundjavës në "Loro Boriçi" bëri që kuqeblutë e drejtuar nga Dervish Haxhiosmanoviç të humbasin kryesimin në Kategorinë Superiore. Shanset e tyre për të fituar trofeun kanë rënë dukshëm: nëse do të ruanin vendin e parë ata do të luanin për dy rezultate kundër bardhebluve (barazim ose fitore), ndërsa tashmë tri pikët janë të detyrueshme. "Klubi i futbollit Vllaznia bën të ditur se sot (dje) në mesditë është mbledhur bordi drejtues, për të diskutuar dhe analizuar situatën e krijuar pas barazimit në ndeshjen e fundit me Lushnjën, e cila komprometoi rrugën drejt titullit kampion. Menjëherë pas asaj ndeshjeje, presidenti Valter Fushaj kishte bërë të ditur dy propozimet që do t‘i paraqiste bordit drejtues", lexohej në deklaratën e kuqebluve. "Gjatë dy orëve diskutime, bordi drejtues analizoi me shumë përgjegjësi situatën e krijuar dhe ka vendosur t‘i japë edhe një tjetër shans skuadrës. Një masë e tillë është marrë me qëllim për të mos ndikuar në përgatitjen e skuadrës në prag të ndeshjes së fundit të kampionatit me Tiranën". Për momentin, i mbijetuari i "madh" është Xhevahir Sukaj, që rrezikonte të përjashtohej për mungesë impenjimi. "Ashtu si e gjithë skuadra, edhe Sukaj do të ketë një shans të fundit. Vendimet dhe masat përkatëse pas propozimeve të presidentit do të merren në një mbledhje tjetër, që do zhvillohet pas përfundimit të kampionatit. Aty do të shqyrtohet me shumë kujdes reagimi i skuadrës në tërësi dhe i secilit individ në veçanti". Prej ditës së sotme, skuadra do të fillojë grumbullimin jashtë Shkodrës, në mënyrë që të përgatitet sa më e qetë për ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit.