Vllaznia, objektivi: “koka nr.1” e SuperligesDy skuadrat kanë një diferencë të qartë vendesh - Vllaznia, e para; Teuta, e gjashta, - por, edhe pikësh: +15 pikë për shkodranët. Edhe për kompanitë e basteve, Vllaznia konsiderohet favoritja për t

Pa goledorin e momentit, Xhevair Sukajn (i dëmtuar), kryesuesja Kategorisë Superiore, Vllaznia (41 pikë), ka vetëm një objektiv ndaj Teutës në “Niko Dovana”: fitoren, për të qenë ajo koka nr.1 e fazës së tretë dhe mikpritëse e ndeshjes përmbyllëse të kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, parë dhe faktin se Tirana e vendit të dytë do të përballet me Lushnjën, që mbyll edhe renditjen e 12 skuadrave më të mira të Shqipërisë.
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, e konsideron shumë të vështirë transfertën kundër skuadrës durrsake, pasi dhe në përballjen e fazës së parë në “Loro Boriçi” Vllaznia fitoi 2-1 me skuadrën e drejtuar nga Sulejman Starova, falë golit të realizuar nga mbrojtësi Elvin Beqiri në minutën e tretë shtesë të pjesë së dytë, teksa më parë kishin shënuar Osja për shkodranët e Hysa për durrsakët.
Pas shtatë ndeshje pa fitore – katër humbje, tre barazime (fitorja i mungon që nga 6 dhjetorit 2008 kundër Shkumbinit) – presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu beson se skuadra e tij do të gjejë forcat e motivimin e duhur për të fituar kundër Vllaznisë, prej së cilës u eliminua dhe nga vazhdimi i Kupës së Shqipërisë.
Trajneri i Teutës, Sulejman Starova, njeriu që i siguroi para dy sezonesh “djemve të detit” dy “medalja të argjendta”: nënkampion në kampionat dhe finalist (i humbur) në Kupën e Shqipërisë, ka qenë i kursyer në deklarata pas humbjes 2-0 me Bylisin, ku pati “fatin” të shijojë dhe goditjen me një çakmak nga një ultras ballshiot.
Fitorja e fundit e Vllaznisë në transfertë lidhet pikërisht me Bylisin (1-2), ndërkohë që në vizitën e fundit për kampionat në “Niko Dovana”, ajo e sezonit të kaluar, Vllaznia fitoi thellësisht 0-3 me një tripletë të Vioresin Sinanit, golashënuesi më i mirë edhe për këtë sezon te kuqeblutë (9 gola). Në vijën e parë, trajneri Agim Canaj do të hedhë së bashku me 3-herë golashënuesin më të mirë të Shqipërisë edhe Paulin Dhëmbin, futbollistin e dytë me më shumë gola (6) të Vllaznia.
Dy skuadrat kanë një diferencë të qartë vendesh - Vllaznia, e para; Teuta, e gjashta, - por, edhe pikësh: +15 pikë për shkodranët. Edhe për kompanitë e basteve, Vllaznia konsiderohet favoritja për të fituar takimin: 2.00 kuotohet fitorja e kuqebluve, 3.40 ajo e Teutës, ndërsa barazimi 3.95. Këto janë kuotat që ofron betexplorer.com.
Duke parë renditjet specifike në bazë të pikëve të grumbulluara për ndeshjet e zhvilluara brenda dhe jashtë saj, Teuta nuk shkëlqen në takimet e ndeshjet e shtëpisë: vetëm 15 pikë në 10 ndeshje (vendi i 9-të), ndërkohë që Vllaznia në ndeshjet jashtë është e treta, po me 15 pikë në 10 ndeshje.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 22
01.03.2009
Teuta-Vllaznia (A.Lulaj)
Faza I: Vllanzia-Teuta 2-1
Lushnja-Tirana (K.Meta)
Faza I: Tirana-Lushnja 1-0
Elbasani-Partizani (B.Pashaj)
Faza I: Partizani-Elbasani 2-2
Besa-Apolonia (S.Çekaj)
Faza I: Apolonia-Besa 3-1
Shkumbini-Flamurtari (E.Peza)
Faza I: Flamurtari-Shumbini 0-0
Dinamo-Bylis (E.Hoxha)
Faza I: Bylis-Dinamo 1-0
E Shtune, 28 Shkurt 2009