E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia pretendon të rimarrë Hamdi Salihin

Start - Ekipi shkodran i Vllaznisë kërkon të rimarrë në gjirin e vet bomberin e kampionatit austriak, Hamdi Salihin. Lajmi i publikuar sot në të përditshmen “Sport Ekspres” thotë se vëllai i lojtarit ka patur një takim dje në presidencën e klubit.

Shuma për një transferim të mundshëm të lojtarit nuk bëhet e ditur, por thuhet se është mjaft joshëse. Problemi kyç i kësaj lëvizjeje është kontrata e lojtarit me klubin e Riedit në Austri. Skuadra austriake do ta kishte thuajse të pamundur të lëshonte një nga benjaminët e saj që ka në organikë.

Nëse nuk arrihet marrëveshja me Riedin, lojtari tregohet i gatshëm për të luajtur me ekipin e tij të lindjes në kupat e Europës gjatë muajve të verës.

“Nuk mund të bëhet një kalim i tillë, pasi gjithçka e ka në dorë Riedi, -shprehet Hamdi Salihi. –Unë për respekt të klubit të vendlindjes sime, do të bëj të pamundurën të luaj në kupat e Europës”.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare që luan në kampionatin austriak, është shpallur si lojtari i dytë më i mirë në këtë kampionat nga votat e tifozëve austriake. Aktualisht Vllaznisë do t’i shërbente shumë shkodrani i ri, pasi ekipi ndodhet në vendin e dytë të klasifikimit, dhe i ka shfaqur hapur ambiciet për fitimin e titullit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›