E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia shpreson të jetë gati, Fushaj kërcënon me largim

Vllaznia, së bashku me Flamurtarin, janë dy nga klubet që pritet të hasin më shumë probleme në lidhje me licensimin. Nëse në Vlorë licensimi i kuqezinjve po komentohet si një luftë politike mes kryebashkiakut Gjika dhe prefektit Vecani, në Shkodër ngathtësia me të cilën po procedon bashkia në ndarjen e aksioneve me presidentin aktual, Valter Fushaj, po bën që ky i fundit të humbasë durimin. Sidoqoftë, sipas zëdhënësit Gjergj Kola, nuk parashikohen komplikime në lidhje me këtë argmunet. “Vllaznia do të jetë pjesë e garës në sezonin e ri. Vërtet kemi pasur disa probleme, por besoj se gjithçka do të sheshohet. Bashkia e Shkodrës nuk mund të përcaktojë sasinë e aksioneve që do të ketë presidenti Fushaj përpara janarit, pasi vetëm atëherë këshilli bashkiak do të mund të ndante këtë punë, por kthimi në sh.a mund të bëhet më shpejt”. Ndërkohë, presidenti Fushaj ka qenë i prerë. “Siç dihet rregullat e reja të federatës kërkojnë që klubet të jenë sh.a ose shoqatë. Bashkia mendon që këtë vendim ta marrë në dhjetor apo janar, ndërsa edhe statusi im si president është i lëkundur, pasi nuk dihet si shkojnë ngjarjet. Kam kërkuar që të bashkohem me bashkinë apo investues të tjerë, për të dalë së bashku nga kjo situatë. Nuk është e thënë që unë të jem domosdoshmërisht në krye të klubit, por e rëndësishme është që të sigurohet vazhdimësia e klubit. Momentalisht kemi një problem mjaft serioz. Ekipi thuajse është i plotësuar në masën 80-90 %, por krijimi i sh.a-së në dhjetor apo janar krijon një farë pasigurie. Për këtë arsye kërkoj garanci dhe ky është problemi i vetëm që kam parashtruar,” ka deklaruar presidenti Fushaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›