Vlora dhe Fieri stacionet e radhës
18/12/2009 Protestat e socialistëve
Socialistët do të manifestojnë sot në Vlorë dhe Fier për hapjen e kutive të votimit ose largimin e kësaj qeverie. Sipas deputetit të PS-së Fatmir Toçi, kampi rozë do të vijojë të kërkojë më forcë dhe i palëkundur hapjen e kutive ose zgjedhje të parakohshme. “Partia Socialiste, ashtu siç është deklaruar edhe gjatë fushatës elektorale, do të protestojë në mbështetje dhe mbrojtje të qytetarëve vlonjatë dhe banorëve të këtij qarku, të biznesit të rrezikuar nga falimentimi për shkak të rritjes së taksave dhe kalimit të 40 % të tyre në biznes të madh”, - vuri në dukje Toçi. Njëkohësisht duke sqaruar më tej arsyet e këtyre protestave, deputeti socialist shtoi se “PS-ja do të protestojë për rrezikun e zhdukjes së Vlorës nga harta e vendeve turistike për shkak të ndotjes nga vënia në punë e TEC-it, petroliferës dhe zhdukja e 500 hektarëve në Pyllin e Sodës dhe kalimin e saj ‘si zonë e lirë’ dhe dhënien me qira për 1 euro m2. Për mbrojtjen e disa qindra bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, të cilat nuk mund të tërheqin turistët në një gji deti të vdekur, ku rrezikohet të përfundojë Vlora”. Për këtë arsye Toçi u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestat që do të zhvillohen sot në Vlorë e Fier.