E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora di t'ia dali mbanë

Pas tri vjet përpjekjesh, pas dhjetëra e dhjetëra peticionesh, mitingje, proteste, qindra artikuj në media dhe biseda televizive, pas shumë ndërhyrjesh në planin juridik, (dy përpjekje për referendum), disa ndërhyrje pranë Bankës Botërore, Trupit Diplomatik dhe bankave të tjera ndërkombëtare, Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe Lëvizja Studentore për Vlorën, kanë vendosur t'i thonë me forcë qytetare STOP! veprimeve arbitrare në dëm të jetës së qytetarëve vlonjatë. Larg çdo ngjyre politike, kundërshtimi i qytetarëve vlonjatë është drejtuar sot kundër arbitraritetit të klasës së sotme politike, asaj të majtë e të djathtë, asaj që ishte apo që është sot në pushtet, qeveritarëve qendrorë e lokalë, deputetëve të Vlorës dhe deri te kryetari i sotëm i Bashkisë. Për rastin e naftës në Gjirin e Vlorës qeveritarët e sotëm qendrore e lokale kanë premtuar në mes të ditës se do të respektojnë vendimin e qytetarëve vlonjatë, kanë premtuar se do të lenë mandatet apo do të bashkohen me qytetarët protestues. Tashmë ka ardhur koha që t'i thuhet ndaj STOP! mashtrimit; qytetarët vlonjatë nuk mund të lejojnë që Gjiri i Vlorës të kthehet në një "hale`" të fqinjëve. Nuk jemi më në kohën e diktaturës moniste; qytetarët vlonjatë kanë të drejtë të vendosin vetë për fatin e tyre; dhe vendimin e tyre do ta marrin vetë nëpërmjet Referendumit. Kjo është një e drejtë e tyre dhe për këtë të drejtë ata kanë vendosur të protestojnë dhe të rezistojnë deri në fund, me moton "Rezistencë deri në referendum". Rezistenca e qytetarëve vlonjatë, në një plan më të gjerë përcjell edhe një mesazh, të cilin qytetarët shqiptarë e kanë shprehur edhe në dhjetorin e vitit 1990. Pa shumë sforco mund të gjenden paralele ndërmjet dhjetorit 2007 dhe dhjetorit 1990. Klasa politike moniste e asaj kohe përdorte, kishte si armë të saj kundër qytetarëve, dhunën, diktaturën ndërsa klasa e sotme politike përdor si armë të saj varfërinë dhe mashtrimin. Në këtë optikë, protesta civile e qytetarëve vlonjatë, që për koincidencë filloi në dhjetor të vitit 2007, do të shënojë një gur kilometrik në historinë e re të demokracisë shqiptare. Sa më sipër duket si një tiradë romantike, por në fakt është pasqyrim i një nevoje reale që kanë qytetarët për më shumë demokraci; dhe jo për një demokraci, parimet e të cilës vetëm shkruhen në Kushtetutë apo në programet e partive politike, që vetëm trumbetohen në fushatat elektorale dhe fshihen me furçën e mashtrimit pas zgjedhjeve. Duket si një betejë e Davidit me Goliathin, duket si një mision i pamundur, por historia, madje në veçanti ajo që lidhet me forcën e qytetarëve vlonjatë ka dëshmuar se kur është fjala për jetën e njerëzve e të brezave të ardhshëm, Vlora ia ka dalë mbanë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›