Vlora e pa furnizuar me libra
Librat shkollorë ende nuk kanë mbërritur në duart e nxënësve të 9 vjeçares së Vlorës. Është përcaktuar që dy shkolla ti marrin librat në një, por ende asnjë nga shkollat nuk ka filluar shpërndarjen e librave.
Interesuar pranë shkollës 9 vjeçare Jani Minga, mësohet se pranë saj është caktuar shpërndarja edhe për shkollën 24 maji, por asnjë nxënës nuk ka marrë libra.
Në oborrin e shkollës ka patur nxënës që kanë pohuar se përditë kanë ardhur të pyesin, por janë kthyer mbrapsh, çka ka ndodhur edhe sot. Nxënësve u është thënë se shpërndarja do të fillojë vetëm ditën e premte. Drejtuesi i shkollës Jani Minga Pirro Qesargjoni, pohon se faji është I distributorëve, por edhe skemave të sivjetshme për shpërndarjen e librave. Ai thotë se është shumë vonë për furnizimin. Madje ka dhe problem, pasi këtu është caktuar të marrin librat edhe shkollarët e 24 Majit, por për ta distributorët ende nuk kanë sjellë furnizimet. Po kështu drejtuesi shikon problematika edhe në ngrirjen e veprimeve nga ana e drejtorive arsimore në kuadër. Unë - pohon ai, - rrezikoj të nis vitin pa katër mësuese, për shkak se drejtoritë kanë urdhër të ngrijnë veprimet. Shkolla në fjalë nuk ka qenë e vetmja që ka përjetuar një situatë të tillë në furnizimin me libra.