E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora pret “Javën e Filmit Mesdhetar”

Në këtë aktivitet, që do të nisë në datën 2 gusht, do të shfaqen 10 filma artistikë prodhim i 5 viteve të fundit, nga vende të pellgut të Mesdheut, mes të cilave nga Spanja, Franca, Italia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Greqia, Turqia dhe Egjipti.

Filmat do të jenë me metrazh të gjatë dhe trajtojnë tema nga jeta e njerëzve të thjeshtë, e paqes, e dashurisë, traditat dhe historia e vendeve respektive. Aktiviteti, që është konceptuar i hapur, do të zhvillohet në mjediset përpara Pallatit të Sportit, ku çdo mbrëmje do të shfaqen dy filma, të cilët do të jenë të titruar në shqip.

Gjatë ditëve të kësaj jave, personalitete dhe emra të njohur të filmit dhe kinematografisë shqiptare, mes të cilëve Tinka Kurti, Reshat Arbana, Josif Papagjoni, bashkëshortët Xhuvani, Artan Minarolli, Arben Lami, do të jenë të ftuar dhe do të komentojnë rreth filmave që do të shfaqen. Ndërkohë, çdo natë do të pasohet edhe nga elemente të tjera artistike, si muzikë “live”, çka do të gjallërojë mjedisin ku do të organizohet aktiviteti.

Gjatë një konference për shtyp, organizatorët e “Javës së Filmit Mesdhetar” dhanë detaje të tjera rreth këtij aktiviteti, që është i pari i këtij lloji që organizohet në Vlorë. Istref Dobi, drejtor i projektit, tha se “qëllimi i aktivitetit, përveç argëtimit dhe pasurimit të jetës kulturore artistike në sezonin turistik, është edhe promovimi i arritjeve bashkëkohore në fushën e kinematografisë, veçanërisht në rajonin e Mesdheut, si dhe njohja e kulturës dhe artit të vendeve të këtij pellgu”.

“Sa më mirë e njeh një popull tjetër, sa më mirë njeh kulturën dhe historinë e tij, aq më tepër e do dhe e respekton atë”, theksoi Dobi, i cili falënderoi ambasadat e vendeve që do të përfaqësohen në këtë aktivitet, për gatishmërinë dhe ndihmesën që dhanë për ofrimin e filmave.

Nga ana e tij, “Artisti i Popullit”, Albert Verria, president i aktivitetit, nënvizoi se artdashësit vlonjatë dhe pushuesit nga vende të tjera, do të kenë mundësinë të shohin filma që janë përfaqësuar në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare në vitet e fundit. Ai tha se “Java e Filmit Mesdhetar” është edhe një homazh për të gjithë ata aktorë shqiptarë që nuk jetojnë më, por që janë në memorien e qytetarëve.
/Start/

                                                                                             2011-08-01 15:19
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›