“Captain America: The First Avenger” bën arkëtime rekord

Captain America: Hakmarrësi i parë (The First Avenger), në rolin kryesor Chris Evans, kryeson Box Office pas shfaqjes premierë fundjavën e kaluar me një xhiro në shifrën 65.8 milionë dollarë, sipas agjencisë Associated Press, duke vendosur një rekord të ri si filmi që ka fituar më shumë në shfaqjen premierë, në të gjithë historinë e kinemasë.
Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitet ’40. Steve Rogers (Evans) është një i ri trupvogël që kërkon të mobilizohet në ushtri për të luftuar kundër nazistëve. Por pas ekzaminimit mjekësor ai konsiderohet si fizikisht i paaftë për të hyrë në ushtri. Atëherë i revoltuar ai del vullnetar për një projekt kërkimesh mjekësore që do ta shndërrojnë atë në një super-ushtar me emrin Captain America.
Pjesa e tetë dhe e fundit e djalit të talentuar Harry Potter kaloi në vend të dytë duke grumbulluar 48 milionë dollarë në javën e dytë të shfaqjes me një shifër totale prej 274.1 milionë dollarë vetëm në kinematë amerikane.
Filmi tjetër premierë “Shokë me përfitime” (Friends With Benefits), ku në rolet kryesore interpretojnë Justin Timberlake dhe Mila Kunis, zuri vendin e tretë me 18.6 milionë dollarë. Sipas kritikëve filmi nuk ka asnjë ndryshim nga suksesi i fillimvitit “Pa asnjë përgjegjësi” (No String Attached) me Ashton Kutcher dhe Natalie Portman, që po ashtu është rreth dy miqve që vendosin t’i shtojnë pak seks kazual miqësisë së tyre, dhe që u shfaq në kinema në janar me shifër premierë prej 19.7 milionë dollarë.
Në vend të katërt renditet “Transformers 3: Errësira e hënës” (Transformers: Dark of the Moon) që u bë filmi me të ardhura më të mëdha të shpërndarë ndonjëherë nga Paramount Pictures. Vetëm në kinematë jashtë Amerikës filmi ka grumbulluar shifrën marramendëse prej 556.6 milionë dollarë. Këtë javë në vend të katërt filmi grumbulloi 12 milionë dollarë, me një total në tregun vendas prej 325.6 milionë dollarë.
Komedia e aktorëve Jennifer Aniston dhe Jason Bateman “Eprorë të tmerrshëm” (Horrible Bosses) zuri vendin e pestë me shifrën 11.7 milionë dollarë duke e çuar totalin e brendshëm në 82.4 milionë dollarë.