E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, OMONIA: Dënimi i Bollanos, diskriminues ndaj komunitetit helen

Organizata minoritare greke dënon vendimin e gjykatës
Organizata e Bashkimit Demokratik të Minoritetit Grek në Shqipëri, OMONIA ka reaguar menjëherë në mbrojtje të kryetarit të saj, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë se Himarës, Vasil Bollano, i cili u dënua dy ditë më parë nga Gjykata e shkallës së Parë të rrethit Gjyqësor Vlorë me 6 muaj burg, 500 mijë lekë të rinj gjobë si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 3 vjet. Në komunikatën për shtyp, dalë nga organizata OMONIA e cila drejtohet nga Bollano, thuhet se: Prokuroria e Vlorës, faktohet se është përfshirë në mekanizma që kanë objektiv persekutimin e anëtarëve të Komunitetit Etnik Helen. Në këtë komunikatë nuk jepet asnjë fakt megjithatë më poshtë ajo hedh poshtë edhe vendimin e gjykatës, si të paargumentuar dhe mbi të gjitha si diskriminues ndaj komuniteteve etnike në vendin tonë. Gjykata dëshmoi se me vendimin e paargumentuar, preferon nënshtrimin ndaj mekanizmave të errët se sa zbatimin qoftë sa për sy e faqe të koncepteve të avancuar për barazi para ligjit për pjesëtarët e komuniteteve Etnike. Nëpërmjet kësaj komunikate, Organizata OMONIA vlerëson se dënimi i kryetarit të OMONIAS, cënon çdo pjesëtar të Komunitetit Etnik Helen dhe provon edhe për dyshuesin më të madh se Helenizmi në Shqipëri është nën persekucion të përshkallëzuar. Përkundër këtyre persekutimeve, OMONIA ka kërkuar, jo thjeshtë regjistrimin dhe përshkrimin e tyre, por edhe masa konkrete e vërejtje nga Organizatat e Qeveritë që mbështesin Demokracinë Shqiptare në evolucionin e saj drejt praktikave të zbatimit të Ligjit, në realizimin e Shtetit të së Drejtës dhe zbatimin në praktikë të të drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve. Përfaqësuesit e OMONIA-s i kanë bërë thirrje përfaqësimit të tyre politik përmes PBDN, të gradualizojnë reagimet në mënyrë që ndërpriten diskriminimet dhe përfundimisht shteti të përparojë sikundër është i detyruar në veprime pozitive që në të ardhmen do të garantojnë shmangien e persekutimeve në dëm të Komunitetit Helen në vatrat e tij atërore. Në mungesë të kryetarit tashmë të dënuar, në zyrat e OMONIA-s nuk ka marrë guximin askush të shfaqej publikisht, për ta lexuar para mediave një reagim të tillë. Kreu i OMONIA-s, njëkohësisht kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano u dënua dy ditë më parë nga gjykata e Faktit Vlorë, për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, në rrugën Qeparo-Llogara, dhe zëvendësimin e tyre me tabela në gjuhën greke. Me këtë veprim, Bollano i shkaktoi shtetit shqiptar një dëm prej 21 milionë lekë. Ai u akuzua për abuzim me detyrën, dhe u dënua me 6 muaj burg, 500 mijë lekë gjobë dhe 3 vjet larg funksioneve në institucionet publike.  Dënimi i Bollanos është kritikuar nga vetë kryeministri Sali Berisha, si dhe nga kreu i PBDNJ. Ndërsa vetë Bollano ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha shkallët e drejtësisë derisa të tregojë se është i pafajshëm.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›