E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Rubik: Shqiptarët pas një viti do të lëvizin të lirë

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka premtuar në Rubik, se pas një viti shtetasit shqiptarë do të lëvizin jashtë shtetit pa nevojën e vizave. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e Rubikut në rrethin e Mirditës, ka veçuar se në mandatin e ardhshëm qeverisës në Shqipëri do të zbatohen të tjera projekte të mëdha zhvillimi. Pas një viti do të bëjë të mundur që ju baballarët, nënat, prindërit që keni fëmijët në Itali, në Greqi, në Gjermani të lëvizni pa viza dhe ju do të lëvizni pa viza, për të parë fëmijët tuaj, deklaroi Topalli, ku shtoi se ky është premtimi, që shtetasit shqiptarë të lëvizin pa viza për të parë nipërit e tyre. Edhe pse kanë mbetur rreth 2 muaj për të shkuar drejt zgjedhjeve të ardhshme, kryetarja e Parlamentit deklaroi se partia Demokratike ka përgatitur projektin tjetër të madh të mandatit të ardhshëm. Duke u ndalur tek investimet e kryera në katër vite, Topalli theksoi se këto investime kanë krijuar një Shqipëri ndryshe. Sot nuk kemi një Shqipëri të fshatit dhe një Shqipëri të qytetit, një të majtë dhe një të djathtë, një të veriut dhe një të jugut, por kemi vetëm një Shqipëri që  po ndryshon dita-ditës dhe që po integrohet. Vendi po vazhdon të integrohet dhe pas një viti, qytetarët shqiptarë do të lëvizin lirshëm në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian, thekson Topalli. Sipas saj, ata që nuk duan ta kuptojnë ndryshimin e vendit janë socialistët, të cilët i kanë thënë jo çdo nisme ligjore, që ka bërë këtë ndryshim. Edhe në këtë takim nuk kanë munguar akuzat e saj ndaj kreut të Bashkisë, së Tiranës, Edi Rama. Por ndërkohë që ne anëtarësojmë Shqipërinë me të drejta të plota në NATO, kryetari i Bashkisë së Tiranës bën protesta, pikërisht pas marrjes së ftesës së NATO- s. Ndërkohë që ne rrisim rrogat në Parlament, për arsimtarët, për infermierët, për administratën, ata votojnë kundër. Ndërkohë që ne sjellim buxhet shtesë në Parlament, mbi 100, 200, 300 milionë dollarë, që do përdoren për fshatin, për qytetin, për shkollën, për spitalin, ata votojnë kundër buxhetit shtesë. Ne themi që pas një jave do shkojmë dhe do aplikojmë për të marr statusin e vendit kandidat në BE, ata thonë "Jo" mos e bëni këtë, ka deklaruar ndër të tjera, kryetarja e Parlamentit. Kryeparlamentarja Topalli u bëri thirrje banorëve të kësaj bashkie që të aplikojnë për kartat e identitetit, që sipas saj edhe pse është tepër e lirë është gjëja më e shtrenjtë që do ti duhet çdo shtetasi shqiptar për zgjedhjet e lira dhe për të lëvizur pa viza në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›