Vlorë/ Përfshihet nga flakët një automjet, digjet dhe automjeti i parkuar

Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme (14 prill) përgjatë rrugës Transballkanike në Vlorë.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, ndërsa mjeti ka qenë i parkuar në momentin e incidentit. Si pasojë e flakëve, është djegur dhe një tjetër automjet që ka qenë ngjitur me të, po ashtu i parkuar.
“U referuan materialet në Prokurori, pasi: -mbrëmjen e djeshme, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, ka rënë zjarr në automjetin e parkuar, në pronësi të shtetasit D. P. Nga flakët janë djegur pjesërisht ky automjet dhe një automjet tjetër i parkuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe policia, të cilat kanë ndërhyrë për neutralizimin e flakëve.
Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit.
/rtsh.al/