Zjarri në kompleksin pranë QSUT/ Zjarrfikësi zbulon detaje: Mbërritëm të parët, 5 zjarrfikës u dëmtuan. Tymi ishte rreziku kryesor

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e së martës (14 prill) një pallat 12-katësh në kompleksin pranë spitalit “Nënë Tereza” (QSUT), pranë konvikteve të studentëve të mjekësisë dhe infermierisë.
Zjarrfikësi Nebi Muçaj, një prej personave të parë që u ndodhën në vendngjarje ka zbuluar detaje nga ngjarja e rëndë.
Ai deklaroi në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, se ekipet e emergjencës në momentin që kanë mbërritur në vendngjarje kanë pasur prioritet të shpëtoni banorët. Ai theksoi se mobilizimi mes forcave zjarrfikëse, policisë, ushtrisë, forcave “Shqiponja” ka qenë i shpejtë dhe i menjëhershëm duke bërë të mundur evakuimin e banorëve.
“Në momentet e para kemi mbërritur me 2 automjete, një ambulancë dhe një staf prej 8 personash – mjekë dhe infermierë – në mbështetje të forcave zjarrfikëse. Prioriteti ynë ishin jetët që duhej të shpëtonim. Pamë një ndërhyrje të menjëhershme nga zjarrfikësit, policia, si dhe mobilizim të shpejtë të forcave të emergjencës dhe ushtrisë. U kryen evakuime të menjëhershme”, u shpreh ai.
Teksa sqaroi se personat e dëmtuar nga zjarri u transportuan me urgjencë nga ekipet mjekësore, Muçaj theksoi se 5 zjarrfikës pësuan lëndime.
“Ne kemi qenë në momentet e para kur kemi marrë vesh që ka rënë zjarr. Në momentet e para kemi qenë me 2 automjete, ambulanca dhe një staf prej 8 personash mjekë infermierë të cilët ishin në mbështetje të forcave zjarrfikëse.
Menduam menjëherë për jetët që duhen shpëtuar, Pamë një ndërhyrje të menjëhershme të forcave zjarrfikëse, policisë, mobilizim të menjëhershëm të forcave AKMC, ushtrisë. Pati evakuime të menjëhershme.
Ne si ekip bëmë transportin në urgjencë të personave të dëmtuar., 5 zjarrfikës u dëmtuan, 4 te djegia dhe 1 te plastika. Ishim krah për krah me policinë, zjarrfikësit, etj,”, deklaroi zjarrfikësi.
Muçaj theksoi se shkaku kryesor i rrezikut ishte tymi, i cili ngjitej nga katet e poshtme dhe bllokonte banorët në katet e sipërme. Megjithatë, falë ndërhyrjes së shpejtë, u bë i mundur evakuimi në kohë dhe nuk pati humbje jete.
“Pasojat e para; asfiksia është kryesorja. Tymrat vijnë nga poshtë dhe bllokojnë banorët lartë. Fatmirësisht pati evakuim të shpejtë dhe nuk pati dëme në jetë. Fatmirësisht dëmi ishte ende në fasadë dhe kishin mundësi të shpëtoheshin nga shkalla e brendshme. Materiali plastik i fasadës, shkaku kryesor përmase mori përmasa të mëdha”, tha ai.
/rtsh.al/