Vlorë, banorët ankohen për mungesë energjie dhe fatura të larta
Për dy net me radhë lagjet 10 korriku dhe Uji i ftohtë në qytetin e Vlorës kane qenë pa energji elektrike. Banorët e këtyre lagjeve, theksojnë se mungesa e energjisë ka kohë që është shumë e shpeshtë. OSSH e qytetit të Vlorës, bën të ditur se përveç vërtetësisë së këtij fakti ka edhe një të vërtetë tjetër, ajo se këto lagje akoma furnizohen me linjën e vjetër të furnizimit 6 kilovat, ndërkohë që një pjesë e madhe e qytetit tashmë ka kaluar në transmetimin me 200 kolovat.
Punonjës të OSSH Vlorë tregojnë se tashmë ka mbaruar shtrimi i linjës 200 kilovat edhe për këto lagje por gjatë planifikimit, nuk qenka llogaritur siç duhet sasia e përcjellësve dhe kështu që mungon lidhja e pallateve të banimit me linjën kryesore. Gjithashtu po sipas këtyre punonjësve, duhet të pritet dërgimi planit për këtë vit, miratimi i tij në Tiranë dhe më pas furnizimi i saj që të bëhet lidhja me këtë linjë të re. Lidhur me ankesat e shumta të banorëve të këtyre lagjeve për mungesën e energjisë, një punonjës i administratës që ngurron të identifikohet sepse është i sigurtë që menjëherë e heqin nga puna na tregon, se në OSSH ndodhin çudira nga më të ndryshmet. Këtu ka inxhinierë që janë bërë nga dy apo tre herë drejtorë, sepse drejtori këtu tek ne nuk rri më shumë se 5-6 muaj në detyrë dhe shkarkohet e riciklohen përsëri. Zakonisht energjia ikën në orët e para të mbrëmjes, ne menjëherë marrim njoftimin për ikjen e saj, por gjatë natës askush nuk shkon të riparojë defektin. Në mëngjes, pas orës 8 thirret mbledhja e mëngjesit ku merren detyrat edhe për riparimin e defektit në linjën e këtyre dy lagjeve që tashmë janë aq të shpeshta sa ndodh radhë ditë të mos ketë defekte. Rreth orës 9 niset grupi i avarive për të konstatuar defektin. Pas gjetjes së tij, shkohet në magazinë për të marrë materialet dhe defekti rregullohet rreth orës 12-13, deri në mbrëmje nuk ndodh defekti por sapo vjen ajo ripërsëritet historia. Ka ndodhur që këto lagje në 7 ditë të javës të rrinë edhe 5 net pa energji dhe vetëm pas mesditës tu shkojë energjia, u shpreh punonjësi i OSSH. Ndërsa nga ana e tyre banorë e këtyre lagjeve tregojnë se janë pagues të rregullt të energjisë, ndonëse kanë ankesa se faturimi u vjen ndonjëherë më shumë se sa harxhojnë realisht ose në një hyrje pallati me 40 apartamente me një llambë në çdo kat, u vjen çdo apartamenti nga 50 kolovat të harxhuar çka do të thotë 2000 kilovat për gjithë hyrjen. Ata shprehen se kjo është absolutisht një shifër shumë e lartë dhe që gjithsesi nuk mund të harxhohet nga 8 llamba,ndërkohë që ato janë me fikje automatike dhe nuk rrinë 24 orë ndezur.V. Sako