E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, bllokohen 283 kg kanabis, 1 në pranga

VLORE- Strukturat e Luftës Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës dhe ato të policisë së Sarandës, bllokuan sot një sasi prej 283.7 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sattiva, ndërkohë që arrestuan drejtuesin e automjetit tip kamionçinë, ku u gjet ajo.

Sipas policisë, lënda narkotike u bllokua në vendin e quajtur "Krane", në segmentin rrugor Gjirokastër-Sarandë, në përfundim të operacionit të koduar me emrin “Duralumini”.

"Si rezultat i këtij operacioni brenda automjetit kamionçinë tip Mercedes-Benz, me targë AA 273 AY, i cili ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë, janë gjetur të fshehura në karrocerinë e dyfishtë 283.7 kg lëndë narkotike kanabis sativa, e paketuar në pako 1 dhe 2 kilogramëshe, ndërkohë që u arrestua 22 vjeçari nga Vlora Ermal Ramaj", saktësuan burimet zyrtare të policisë lokale.

Mësohet se, operacioni i koduar “Duralumini", që kishte nisur para dy muajsh, u konkretizua paraditen e sotme, ndërkohë që po punohet për të identifikuar dhe kapur edhe persona të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike, si dhe për të saktësuar destinacionin e saj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›