E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë dhe Fier, Rama: Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar

Turi i protestave të Partisë Socialiste vijoi sot në Vlore dhe Fier I shoqëruar nga deputetët e këtyre qarqeve, drejtues të pushtetit vendor, Rama ka perseritur se PS ndalet vetem kur te hapen kutitë.

Pjese nga fjala e Rames ne dy mitingjet:

Ne protestojmë duke i thënë Sali Berishës hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për biznesin e vogël. Ne sot protestojmë sepse Shqipëria që jeton jashtë oborrit të Familjes në Pushtet e ka të pamundur të festojë Krishtlindje e Vit të Ri.

Në vend se të festojë kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës së vigjiljes së Vitit të Ri. Ne protestojmë për këtë tallje të qeverisë me 110 mijë rrogëtarë të këtij vendi. Në vend se të mendojnë për dhuratat e fëmijëve për Krishtlindjet të gjithë prindërit që deri vjet merrnin edhe një rrogë tjetër shpërblim, për punën në shërbim të shtetit, nuk do të marrin as rrogën e përmuajshme, as rrogën e shpërblimit. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha u bëri rritje rrogash punonjësve të këtij shteti për t'u marrë votën dhe sot u fut dorën në xhep për t'u marrë më shumë se c'u dha.

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për administratën e shtetit shqiptar. Për një administratë të çliruar nga kthetrat e pushtetit. Për nëpunës e nëpunëse që i shërbejnë ligjit, qytetarit, të drejtës së shërbimit dhe lirisë së sipërmarrjes.

Në vend se të presin festat për të kaluar ca ditë e netë të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, 540 mijë pensionistët e këtij vendi presin me drithërim janarin kur nën derë do t'u hyjë fatura e re e energjisë. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha u bëri rritje pensionesh më të shkretëve të kësaj shoqërie dhe sot ua ka bërë zero rritjen e pensionit me çmimin e rritur të jetesës e me faturën e re të energjisë.

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për më të moshuarit. Për një politikë që nuk gënjen, po hap zemrën. Për një politikë që hallin që nuk e zgjidh, e qan me sinqeritet. A ju kujtohet motra e vëllezër sa herë ka dalë përpara popullit Sali Berisha për të thënë duke u gajasur, "Mos dëgjoni ministrat e mi dhe askënd tjetër që ju thotë duhet rritur çmimi i energjisë, sa të keni Sali Berishën, nuk rritet çmimi"? Dhe mos harroni, këtë jua ka thënë edhe përpara zgjedhjeve kur e kishte në sirtar firmën që kishte hedhur për rritjen e çmimit.

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për energjinë. Për burime të reja energjie që nuk varen nga korrupsioni e klientelat. Për ndarje të arsyeshme të barrës së çmimit. Për ndaljen e vjedhjeve dhe lehtësimin e atyre që e paguajnë dyfish sepse nuk e vjedhin energjinë.

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re me investitorët e investimet e huaja. Për import kapitalesh investuese duke hapur vende të reja pune dhe jo shitje të së ardhmes së vendit për përfitime të shpejta të pushtetit të interesave familjare. Për një Shqipëri të tregut të lirë jo për tregje të kapura.

Në vend se të festojnë edhe ata si gjithë të tjerët, 46 mijë invalidë të harruar në këtë vend kanë muaj që s'marrin atë që u takon me ligj dhe jo me përrallat që Sali Berisha ua tregoi si angazhime elektorale. Ne protestojmë në emër të tyre. I themi hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për më të pambrojturit. Për një qeveri që nuk tallet me ata që s'kanë zë, s'kanë dëgjim, s'kanë gjymtyrë apo fuqi të reagojnë. Për një qeverisje që ka gojë, veshë, sy, duar edhe për më të pambrojturit. Në vend se Krishtlindjet e Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar, ata kanë marrë lajmin se për çdo trokitje tek mjeku do të paguajnë deri pesë herë më shumë. Sali Berisha u premtoi shërbim më të mirë shëndetësor për t'u marrë votën dhe pasi u mori votën u preu faturën e re të pagesës për çdo vizitë. Ne protestojmë në emër të tyre.

I themi hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për shëndetësinë. Për t'i dhënë fund sistemit të falimentuar të sigurimeve dhe për të hapur epokën e sistemit shëndetësor universal. Për një shtet që ata që s'kanë nuk i le pas derës së spitalit, po u hap derën e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›