Vlorë, digjet banesa e vjedhur disa herë
Vlorë- Pasi e kanë vjedhur disa herë, së fundi i kanë vënë edhe flakën. Ky është dyshimi kryesor për vjedhjen e një banese sot në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, në një shtëpi të pabanuar prej vitesh, pasi të zotët kanë qenë në emigrim.
Sipas burimeve policore, banesa ishte bërë disa herë objekt grabitjeje. Flakët që janë parë sot të dalin nga shtëpia e pabanuar, kanë hedhur dyshime se pikërisht zjarri i është vënë pas ndonjë vjedhje të radhës, ndoshta nga adoleshtentë, por kjo ende është e paprovuar dhe ende nuk ka autor apo shkak tjetër të identifikuar.
Me të parë flakët që kanë dalë nga tavani i shtëpisë një katëshe, fqinjët kanë njoftuar zjarrfikësen. Materialet e drurit që ka pasur në banesë kanë ndihmuar flakët të përhapen dhe kjo ka rrezikur edhe dy banesat ngjitur. Ende nuk ka autorë të dyshuar, ndërkohë që policia është duke hetuar për ngjarjen.