Vlorë, dy persona grabisin dhe plagosin pronarin e argjendarisë
Një pronar argjendarie është bërë sot objekt jo vetëm i grabitjes së maskave, por edhe i armës së përdorur prej tyre. Dy plumba kanë zbrazur maskat drejt tij, ndërkohë që fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi pranë një prej argjendarive në zonën pranë gjashtëkatëshit tek Bashkia. Ka qenë momenti kur 52 vjeçari Bezhan Gjika po mbyllte qepenat e argjendarisë së tij. Dy persona me skafandra në kokë, që ndodheshin në një motor të vogël, kanë kërcënuar me armë për të marrë çantat me sende të çmuara. Pronari ka reaguar duke mos pranuar, por ata kanë rrëmbyer çantat dhe rezistencës së mëpasshme të tij i janë përgjigjur, duke qëlluar dy herë në drejtim të pronarit.
Një prej plumbave e ka prekur në gjoks 52 vjeçarin, por pa i shkaktuar dëme serioze. Dy personat janë larguar menjëherë rrugicave të lagjes. Sulmi është bërë pikërisht në orët e drekës kur argjendaria mbyllej për pushimin e drekës, ndërkohë që dyqani ndodhet përgjatë rrugës që lidh qendrën me spitalin, në një zonë të populluar me lëvizje.
Anila Peçi