Kosova refuzon ti hiqet republika
Pala kosovare nuk do të pranojë të heqë dorë nga fjala Republikë për tu përfaqësuar në forumet rajonale. E përditshmja kosovare Express bëjnë të ditur se kryeministri Hashim Thaçi ka hedhur poshtë propozimin e ndërmjetësit Robert Cooper që vendi të përfaqësohet vetëm si Kosovo.
Por, zyrtarët në Bruksel thonë se përpjekjet për arritjen e marrëveshjes nuk do të ndalen. Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Prishtinë – Beograd nuk ka arritur të marrë pëlqimin e autoriteteve të kosovare rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale.
Në fakt, zgjidhja për këtë çështje duket të jetë shumë larg edhe për shkak të qëndrimit të ngurtë të palës serbe, e cila po insiston që Kosova të prezantohet vetëm përmes Rezolutës 1244.
Por pala kosovare, ndërkaq, është shprehur e prerë se nuk do të heqë dorë nga fjala Republikë, të cilën Cooper e ka kërkuar si kompromis kur është fjala për bashkëpunimin rajonal. Një zyrtar i lartë i Qeverisë, në kushte anonimiteti, ka thënë për Express se Kryeministri Hashim Thaçi ka qenë kategorik në këtë pikë.
Kryeministri në takimin e djeshëm me z. Cooper ka shprehur refuzimin kategorik të Prishtinës për ofertën e Ndërmjetësit që Kosova të përfaqësohet pa Republikë, në takimet rajonale, ka thënë burimi i gazetës. Ne nuk lëshojmë pe në këtë drejtim, edhe me kushtin që kurrë të mos arrihet marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës, në forumet rajonale e evropiane, ka shtuar burimi i gazetës Express.
Këto qëndrime, sipas tij, Kryeministri i ka shprehur edhe në takimet që ka pasur të mërkurën me Miroslav Lajçak. Publikisht, zyrtarë të Qeverisë nuk po shfaqen këmbëngulës rreth mënyrës se si do të përfaqësohet Kosova.