E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, eksploziv në pallatin kubanon Kollozi i PD e Selami i LSI

VLORË - Një sasi tritoli shpërtheu brenda një pallati 12 katesh në lagjen “29 nëntori”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi Rinai”. Ishte ora 02:50 e së shtunës (01.06.2013) kur në katin e 10 të pallatit një sasi eksplozivi shpërtheu duke bërë dëme të konsiderueshme materiale në dyert e banoreve dhe në ashensor.

Sipas një njoftimi paraprak për shtyp të policisë së Vlorës thuhet se në këtë orë u mor njoftim në sallën operative se një sasi eksplozivi kishte shpërthyer në katin e 10 të një pallati 12 katësh ku kati i fundit i përkiste kandidatit aktual në listat e PD Ardian Kollozi.

Nga burime mësohet se në të njëjtin pallat disa kate më poshtë banon dhe i pari në listën për kandidat në radhët e LSI Shkelqim Selami. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe fillimisht ka rrethuar zonën dhe nuk ka lënë kamerat TV të afrohen në zonën ku ndodhi shpërthimi.

Eksplozivi i cili mendohet të jetë nga 200 gram deri në 500 gram është vene në shkallet e pallatit në katin e 10 dhe vala e shpërthimit ka qenë e aq fuqishme sa ka dëmtuar dyert, ka shkaktuar thyerje xhamash dhe vatra e shpërthimit ka lënë një gjurmë me diametër 20 me 10 cm në dysheme.

Nuk janë shënuar dëme në njerëz, gjithsesi autoambulancat dhe mjeket rojë kanë qenë prezent për mjekime të vogla të personave të cilët janë tronditur nga vala e shpërthimit. Policia po heton që prej orës tre të mëngjesit me mjaft ekspert të saj por të mbërritur edhe nga Tirana në mënyrë të menjëhershme.

Shumë persona janë shoqëruar në policinë e Vlorës, disa prej tyre pasi janë marrë në pyetje janë liruar përsëri. Gjithashtu janë marrë filmimet e të gjitha kamerave të sigurisë në zonë ku ka mundësi të zbulohen lëvizjet e një aspo disa personave.

Prokuror dhe drejtues të lartë të policisë lokale por dhe të ardhur nga Tirana kanë qenë në vendngjarje deri në mëngjes por që ende nuk lejojnë që në vendin e shpërthimit të afrohen gazetar dhe operator televiziv.
 
Lajmi u publikua rreth orës 05:40 të së shtunës (01.06.2013) dhe u përditësua në orën 06:50 të së njejtës ditë

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›