E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlore, kapet 34-vjeçari i kërkuar nga drejtësia italiane

VLORE - Policia e Vlorës arrestoi sot një 34-vjeçar nga ky rreth i cili kërkohej nga drejtësia italiane. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se Ilir Rukaj, u kap gjatë një aksioni të policisë në një hotel në fshatin Rradhimë, 15 km në jug të Vlorës.

“Kapja dhe ndalimi i Rukajt u krye rreth orëve të drekës në një hotel në Radhimë, pasi në ngarkim të tij Gjykata Penale e qytetit Asti në Itali, me vendimin me nr. 413 datë 19.07.1996, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në bashkëpunim”, thanë burimet zyrtare të policisë.

Sipas tyre, materialet procedurale i janë referuar organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme, në pritje të procedurave të ekstradimit të tij drejt vendit fqinj.

Arrestimi i 34-vjeçarit e çon në 10 numrin e personave të arrestuar nga policia e Vlorës në 2 muajt e fundit, për llogari të drejtësisë italiane.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›