E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Rama: Do themelojmë shërbimin kombëtar shëndetësor

TIRANË - Në të gjithë Shqipërinë zhvillohen takime e tryeza për të ndarë pikëpamjet e Partisë Socialiste dhe shqetësimet që dalin nga situata aktuale, por edhe nevojat që kanë njerëzit të cilat ata duan t’i shikojnë të trajtuara si duhet nga Programi për Një Rilindje Shqiptare.

Kreu i PS-së Edi Rama dhe Grupi i punës për Shëndetësinë kanë qenë në qytetin e Vlorës, ku kanë bashkëbiseduar me bluzat e bardha, por edhe qytetarë.

Zyra e shtypit e selisë rozë bëri të ditur se gjatë këtij takimi,Rama tha se dallimi është shumë i qartë mes Partisë Socialiste dhe palës tjetër pasi PS do të garantojë shërbim shëndetësor universal, që nënkupton blerjen nga shteti të shërbimit shëndetësor edhe për ata që janë të pasiguruar.

"Ne do të themelojmë shërbimin kombëtar shëndetësor, një strukturë e re që do të bëj të mundur transformimin e sistemit shëndetësor. Sot kemi një shërbim shëndetësor të degraduar që ka cënuar rëndë dinjitetin e atyre që punojnë në këtë shërbim, dinjitetin profesional njerëz dhe dinjitetin shoqëror të vendit. Duke e transformuar tërësisht sistemin shëndetësor, njerëzit do të shërbehen denjësisht", - deklaroi kreu i PS-së.

Ai nënvizoi se "qëllimi ynë është që në fund të kësaj rruge dhe përpara zgjedhjeve të ardhshme ne të kemi një plan shumë të detajuar për të gjitha fushat që mbulon program qeverisës. Dhe të jemi në gjendje tu themi njerëzve ekzaktësisht se cili është plani ynë, ku do të ndërhyjmë, si do të ndërhyjmë dhe në sa kohë ne presim rezultatet e para nga ndërhyrja jonë në çdo sektor".

Rama tha se ndryshimi është shumë i dukshëm mes asaj çka ofron qeverisja aktuale ku çdo shërbim shëndetësor jepet sipas mundësisë për të paguar, dhe asaj që ofrojnë socialistët me Rilindjen Shqiptare që është “secili sipas mundësive dhe shteti në shërbim të të gjithëve”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›