Grabitet gjatë natës shtëpia e argjendarit
Hajdutët kanë hyrë nga dritaret dhe kanë vjedhur 54 milionë lekë. Policia: Dyshojmëse janë të njohur të viktimës
TIRANË- Vidhen pa lënë asnjë gjurmë 54 milionë lekë të vjetra në shtëpinë e një tregtari në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë kur persona të panjohur kanë hyrë në banesën e Kujtim Prognit që ndodhet në Laprakë dhe kanë vjedhur një shumë prej 54 milionë lekë të vjetra. Sapo ka konstatuar vjedhjes, Progni i cili është pronar i një dyqani argjendarie në Tiranë, lajmëroi menjëherë policinë. Specialistët e seksionit të luftës kundër vjedhjeve të pronës mbërritën në banesën e Prognit për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se deri në orët e vona të mbrëmjes janë shoqëruar disa persona si autorë të dyshuar të vjedhjes por pasi janë marrë në pyetje u lanë të lirë për mungesë provash.
Vjedhja
Rreth orës 19:00 të së enjtes, Kujtim Progni ndodhej në dyqanin e tij, dhe në banesë nuk ndodhej asnjë pjesëtar i familjes. Kur janë kthyer në mbrëmje, Progni ka konstatuar dritaren e njërës nga dhomat të thyer. Me shpejtësi ka hyrë në ambientet e brendshme të banesës duke u turrur te vendi ku kishte fshehur paratë. Në polici ai ka deklaruar se paratë nuk ndodheshin në vendin ku ai i kishte fshehur duke treguar se hajdutët i kanë vjedhur rreth 54 milionë lekë të vjetra. Mësohet se personat e panjohur kishin kërkuar për të gjetur paratë, duke kthyer shtëpinë “përmbys”. Menjëherë Progni ka vënë në dijeni policinë e cila mbërriti pranë banesës për të bërë administrimin e provave.
Policia
Specialistët e seksionit të luftës kundër vjedhjeve të pronës pranë policisë së Tiranës bërë këqyrjen e provave në vendin e ngjarjes. “Nga këqyrja e banesës rezulton se personat të panjohur kanë shfrytëzuar shtëpinë e ulët të Prognit për të hyrë nga dritarja në ambientet e brendshme. Ata për disa minuta mendohet të kenë kërkuar nëpër shtëpi për të zbuluar vendndodhjen e parave. Në denoncimin e tij tregtari ka deklaruar se i mungojnë rreth 54 milionë lekë të vjetra, shumë kjo për të cilin ai pretendon se ia kanë vjedhur”,- thanë për “Shekullin” burime nga policia. Të njëjtat burime shtuan se autorët kanë shfrytëzuar momentin që në banesë nuk ndodhej njeri për të zhvatur paratë, dhe nisur nga fakti që vjedhja është kryer në orët e pasdites ka hedhur dyshime se autorët janë njerëz të njohur prej Prognit. “Dyshohet se autorët e vjedhjes janë të njohur të Prognit, të cilët kanë ditur mirë lëvizjet e tij, ndaj dhe kanë vepruar për të marrë paratë, megjithatë policia nuk hedh poshtë edhe dyshimin se autorët mund të jenë adoleshentë, kontingjent policie” -shtuan më tej burimet policore. deri më tani janë shoqëruar disa persona por asnjë nuk ka rezultuar të jetë i implikuar në këtë vjedhje duke detyruar policinë të vazhdojë hetimet për të identifikuar dhe kapur hajdutët.
-------------------------------------------------------------Dy persona të armatosur e të maskuar kanë hyrë në mbrëmje në shtëpinë që ndodhet në lagjen “Partizani”
Vlorë, maskat tentojnë të grabisnin kambistin
VLORË- Dy persona kanë tentuar që të grabisin mbrëmjen e djeshme banesën e një kambisti në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.30 në lagjen “Partizani” të qytetit të Vlorës. Burimet e policisë lokale pohuan se kur kambisti ka hapur derën ka parë dy persona të armatosur me pistoletë dhe të maskuar. Pas kësaj 44-vjeçari ka bërë rezistencë duke u përleshur me dy personat. Duke parë situatën e alarmuar dhe zhurmën e bërë për shkak të bërtitjeve të familjarëve të F. S, dy grabitësit janë larguar me vrap. Në momentin e daljes nga hyrja e pallatit ata kanë qëlluar në ajër me armë me qëllim që të mos i ndiqnin nga pas persona të tjerë. Pas largimit të grabitësve, familja e të dëmtuarit ka telefonuar policinë. Hetuesit pohuan se nga marrja në pyetje e kambistit, dhe dëshmitarëve të tjerë të ngjarjes, nuk është bërë i mundur identifikimi i personave që tentuan grabitjen. Sipas vete kambistit, dy personat e armatosur dhe të maskuar kishin ardhur me qëllim të vidhnin paratë që kishte në shtëpi. Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur kërkimet në lagjen “Partizani” e më tej. Momentalisht janë shoqëruar dy persona, por ende nuk është verifikuar nëse kanë lidhje me ngjarjen apo jo.