Vlorë, prefekti mban peng vendimet e këshillit bashkiak

KONFLIKTI/ Halili vijon të këmbëngulë në mosnjohjen e vendimit të Apelit. Gjika e akuzon për shpërdorim detyre
VLORË - Prefekti i qarkut të Vlorës, Hasan Halili, deklaroi dje se nuk do të njohë vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me kreun e këshillit bashkiak, dhe si rrjedhojë nuk do të njohë vendimet e firmosura nga kryetari Sulçe, përveçse atyre të asistencës, për të cilat është marrë mirëkuptimi i krahut të djathtë në këshill. Gjatë një konference për shtyp, Halili ka prezantuar edhe zgjidhjet, të cilat u ka propozuar këshilltarëve për të dalë nga ngërçi.
Ai tha se u është drejtuar zyrtarisht kryetarëve të dy grupeve, për të gjetur një zgjidhje për kryetarin e këshillit bashkiak, në zbatim të rregullores. Kreu i prefekturës e cilëson ngërçin prej 24 shtatorit, datë në të cilën u ndryshua kryetari i këshillit dhe zgjidhjen e këtij ngërçi ai e shikon tek rishqyrtimi i kësaj pike në këshill.
Edhe pas vendimit të dhënë nga Apeli i Vlorës, i cili njeh vendimin e marrë në këshillin bashkiak për zëvendësimin e kreut bashkiak, prefekti Halili do të vijojë të mos njohë vendimet e firmosura prej tij, derisa të shprehet Gjykata e Lartë. Prefekti tha se nga kjo nuk do të bëjnë përjashtim as 75 familjarët të cilët kërkojnë të përfitojnë banesa me kreditë e zbutura.
Sipas tij edhe kjo çështje mund të zvarritet, pasi do të jetë me firmën e kryetarit të ri, të cilin prefekti nuk e njeh si të ligjshëm. Duke iu drejtuar kryetarëve të grupeve ai shprehet se "veprimet e bëra në datën 24 shtator janë refuzuar sepse nuk janë në përputhje me rregulloren dhe ligjin e qeverisjes vendore. Ne kemi dhënë disa herë rekomandime verbale për mënyrën e zgjidhjes, duke respektuar rregulloren e miratuar nga këshilli i Bashkisë Vlorë.
Por për fat të keq kjo kërkesë konstruktive e bërë nga ne, nuk u mor parasysh. Duke respektuar vendimet e gjyqësorit, ne konsiderojmë moralisht të nevojshme t'iu drejtohemi ju, që të jepni zgjidhje sipas rregullores tuaj, e cila do të jetë e shpejtë, demokratike dhe në shërbim të qytetarëve.
Ky veprim do të ndërpriste të drejtën tonë për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj veprimit të Gjykatës së Apelit, proces i cili do të marrë kohë dhe tensionet brenda jush do të vijonin".
Pas kësaj, në një konferencë për shtyp ka dalë kryetari i bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Kryebashkiaku ka folur me tone të ashpra, duke i cilësuar të gjitha veprimet e institucionit të prefektit tërësisht politike, bërë për të penguar punën e bashkisë dhe administratës së saj në lidhje me projektet.
Ai ka ftuar prefektin të heshtë, në një kohë kur ka folur gjyqësori, ndërsa ka bërë me dije projektet publike që po zbatohen në Vlorë nga ana e bashkisë, por që po hasin pengesa të krijuara artificialisht, nga segmentet politike.
Gjika ka akuzuar prefektin për shpërdorim detyre, ndërkohë që i ka cilësuar deklaratat e tij tërësisht politike. "I bëj thirrje Prefektit të Qarkut të heshtë dhe t'iu japë fund deklaratave, sepse përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë dhe ai i pari ka detyrimin të zbatojë pa hezitim vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për zbatim",- u shpreh kryebashkiaku.
"Është miopi institucionale e Prefektit të thotë në shkresë zyrtare "që dy vendimet e para unë do t'i miratoj, sepse më thanë edhe ata të PD-së se ishin dakord. Më e pakta, është keqdashje e Prefektit të thotë në shkresë zyrtare "që unë vendimet e gjyqësorit do t'i respektoj, por moralisht nuk i shpreh të ligjshme", tha Gjika.
Ai akuzoi prefektin Halili se po pengon projektet për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit bregdetar, ndërsa renditi 9 prej tyre të cilat do të kishin përfunduar në rast të mospengesës së tij.
"E akuzoj publikisht se është duke shpërndoruar funksionin dhe detyrën", deklaroi Gjika, i cili tha se pavarësisht pengesave Brenda datës 30 qershor do të realizonte kontratën me qytetarët e Vlorës për kthimin në normalitet të infrastrukturës dhe shërbimeve komunitare.
1. KUB në lagjen Kume
2. KUB në lagjen Lirim
3. Rruga Atelie - Fusha e Aviacionit
4. Rruga Pyjore - Hidrovor
5. Rruga Kapele - Transballkanike
6. Rruga Kapele - Spital
7. Blloku i lagjes "Isa Boletini"
8. Blloku i lagjes "28 Nëntori", pranë Gjendjes Civile
9. Blloku i Pallateve të Gorishtit dhe Posta e Çoles