E Diel, 1 Nëntor 2026

Nderi, vret fqinjin, tenton vetëvrasjen

PEQIN/ Sami Hasa ka qëlluar mbi Dritan Dajën pasi e ka gjetur këtë të fundit në shtëpi kur është kthyer nga puna


Mësohet se autori dhe viktima ishin fqinjë mes tyre, por kishin pasur herë pas here konflikte. Dyshohet xhelozia


PEQIN - Qëllon me pistoletë bashkëqytetarin dhe më pas tenton të vetëvritet. Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:00 në apartamentin e katit të tretë në lagjen "Xhami" të qytetit të Peqinit. 40-vjeçari Sami Hasa ka qëlluar mbi 37-vjeçarin Dritan Daja, të dy me banim në Peqin.


Mësohet se krimi ka ndodhur brenda apartamentit të Hasës ku edhe është gjetur trupi i pajetë i viktimës. Por ngjarja nuk ka përfunduar me kaq pasi kur ka dalë Sami Hasa i gjendur nën një tronditje të fortë pas krimit ka qëlluar mbi veten me pistoletën që kishte përdorur për vrasje.


Ndërkohë që viktima e tij 37-vjeçari Dritan Daja ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe për të nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, autori po vazhdon të luftojë me vdekjen. Kanë qenë banorët e pallatit që kanë parë skenën e tmerrshme dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe ambulancës për ndihmë ndaj të plagosurit.


Menjëherë nëpërmjet një autoambulance i plagosuri rëndë është nisur drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit ku i është nënshtuar një operacioni për rreth dy orë. Më pas nëpërmjet një autoambulance 40-vjeçari është nisur drejt Spitalit Ushtarak për një mjekim më të specializuar. Gjendja e tij sipas mjekëve paraqitet mjaft e rëndë.
Burime nga vend i ngjarjes bëjnë të ditur se mes vrasësit dhe viktimës ka pasur keqkuptime të vazhdueshme.


Pasditen e djeshme Sami Hasa sapo ishte kthyer nga shkolla e fshatit Kazie ku punonte si arsimtar, por dhe nga ku e kishte origjinën. Ai ka gjetur në apartamentin e tij në momentin e kthimit Dritan Dajën dhe më pas e ka qëlluar disa herë për vdekje. Më pas mësohet se ai është penduar, pasi dëshmitarë në vendngjarje e kanë dëgjuar të thotë: Obobo ç'bëra! Pasi ka dalë jashtë ai ka qëlluar edhe mbi veten.


Sipas të dhënave të para shkaku që ka sjellë krimin ka qenë xhelozia e autorit. Nga të dhënat e para ajo klasifikohet si vrasje për çështje nderi. Nuk dihet ende sesa të bazuara mund të ishin dyshimet e autorit të krimit, pasi viktima jetonte në të njëjtin pallat tek një i afërm i tij.


Banorët nuk thonë asgjë mbi këtë krim të tmerrshëm. Familjarët janë gjendur përballë krimit të dyfishtë. Autori i krimit që po lufton me vdekjen ishte me arsim të lartë dhe punonte si mësues. Ai ishte baba i një vajze.


Policia


Agjentët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke rrethuar dy skenat, ajo në sheshin para pallatit ku personi ka tentuar vetëvrasjen dhe në shtëpinë e tij ku edhe gjendej viktima 37-vjeçar. Ata kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistolë dhe disa gëzhoja. Mësohet se goditja ndaj 37-vjeçarit Daja ka qenë e afërt dhe nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi.


Policia është treguar mjaft e kujdesshme për përfundimet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Aktualisht nuk është dalë me një komunikim zyrtar mbi shkakun që solli krimin. Ndërkohë, një grup hetimor dhe një prokuror kanë ndjekur dokumentimin e vendit të ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›