E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, transportonin klandestinë, arrestohen 5 persona

Policia e Vlorës dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar Tiranë, arrestuan sot, gjatë një operacioni të përbashkët, 5 persona, të cilët dyshohet të jenë pjesëtarë të një rrjeti, që trafikonte klandestinë në drejtim të Greqisë. Sipas burimeve nga policia gjatë operacionit të koduar "Piramida 72", u arrestuan në kushtet e flagrancës, Qazim Dautaj, 55 vjeç, Elidon Demaj, 31 vjeç, nga qyteti i Vlorës dhe Andrea Rako, 44 vjeç, Dalip Dalipaj, 32 vjeç dhe Sinan Mato, 32 vjeç, nga Saranda. Pesë të arrestuarit, dyshohen të jenë pjesëtarë të një rrjeti, që trafikonte klandestinë drejt Greqisë, kundrejt një shpërblimi prej 2000 eurosh për person. Për të realizuar aktivitetin e tyre, të paligjshëm, të prangosurit, shfrytëzonin lidhjet e tyre në qytetin e Sarandës, si dhe njohjen e territorit kufitar në zonën e Konispolit, Xarrës dhe Qafë Botës dhe lidhje të tjera në Greqi.
Gjatë operacionit "Piramida 72", policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi të konsiderueshme aparatesh celularë, tre automjete, që përdoreshin për transportin e klandestinëve dhe një vlerë financiare prej 6000 euro 5 të arrestuarit, akuzohen për veprën penale të dhënies së ndihmës, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›