Vlorë, zbulohet gomonia me drogë
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Bllokohet gomonia e parë e operacionit “Deti i Pastër”. Ajo po bëhej gati për të trafikuar drejt Italisë një sasi prej 150 kuintalë kanabis, kur është zbuluar nga policia në Karaburun.
Tre skafistët janë parë nga forcat e policisë, por ata kanë braktisur mjetin, duke mundur të fshihen në zonën e thellë. Në operacionin e nisur tri ditë më parë marrin pjesë forca nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, Policisë Kufitare, Delta Force dhe të Krimeve të Rënda, me qëllim goditjen e trafikut ndërkombëtar. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, pak pas mesnatës së të premtes u sekuestrua gomonia dhe droga. Rreth orës 01:40, forcat policore gjatë kontrollit dhe patrullimit në det kanë konstatuar në afërsi të Gjipeut, në Karaburun, gomonen rreth 5.5 metër të gjatë. Pasi kanë pikasur mjetin lundrues ata i janë afruar e më pas kanë ushtruar kontroll në bordin e gomones, e cila ishte e ankoruar në disa shkëmbinj. Brenda mjetit u gjet një sasi e konsiderueshme kanabisi, e vendosur në çanta sportive. Sipas policisë, sasia e hashashit të gjetur ishte 1.5 kv dhe ai ishte i paketuar në tri çanta sportive. Bima narkotike ishte e presuar dhe ishte gati për t’u transportuar për në shtetin fqinj me gomone. Pas kontrollit të imtësishëm të mjetit, bashkë me drogën ai u bllokua në cilësinë e provës materiale. Gomonia e bërë gati për transportin e drogës ishte e pajisur me një motor 30 kuaj fuqi dhe një tjetër motor rezervë ndihmës, prej 10 kuajsh fuqi. Gjithashtu trafikantët kishin në bordin e gomones edhe karburant rezervë në disa bidonë. Policia është vënë menjëherë në ndjekje të trafikantëve, të cilët mendohet të kenë qenë tre vetë. Ata me shpejtësi janë larguar në pyllin e Karaburunit, duke humbur kështu nga gjurmët e policisë. Për të identifikuar personat e përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar të drogës, policia ka gjetur gjurmë në mjet dhe mbi çantat e drogës. Dyshohet se droga mund të jetë përpunuar në zonën e lumit të Vlorës dhe është transportuar me kafshë deri pranë gomones. Ky është njëkohësisht dhe rasti i parë për këtë vit që në brigjet tona bllokohet një gomone me drogë.