Berisha:Dyfishim të pensioneve
Kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit të panairit të prodhimeve bujqësore në Korçë, ka premtuar dyfishim të pensioneve të fshatit. Sipas kreut të qeverisë, vendimi pritet të merret vitin e ardhshëm. Kryeministri theksoi se, “pensionet në fshat që ishin në vlera qesharake 4 vite më parë, tani po shkojnë drejt dyfishimit dhe do të dyfishohen në vitin 2009 dhe do të ecet me shpejtësi drejt nivelimit të plotë me pensionet në qytet”. Duke folur për prodhimet vendase, kreu i Ekzekutivit shtoi se do të mbrohen fermerët nga kontrabandistët. “Ne do ju mbrojmë nga kontrabanda dhe kontrabandistët. Katër vjet më parë njeriu që i rrinte në krah kryeministrit, ishte importuesi kryesor i ushqimeve. Natyrisht prodhimet tuaja do të kalbeshin në fushë. Kjo nuk ndodh më”, theksoi Kryeministri. Berisha i garantoi fermerët korçarë se qeveria do t`i mbështesë ata që ta shndërrojnë Korçën në kryeqytetin e Ballkanit për mollën e cilësisë më të lartë, mollën starkinge, dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të festohet kjo ditë. “Unë kam ardhur disa herë gjatë muajve të fundit këtu në Korçë dhe kam inauguruar frigoriferë dhe kapacitete të tjera përpunuese në mbështetje të prodhimeve tuaja”, u tha Berisha fermerëve të pranishëm. Kryeministri ishte dje dhe në Pogradec për të inauguruar stacionin e pompimit të këtij qyteti. Ai shoqërohej dhe nga ambasadori gjerman në Tiranë. Ky investim ishte për sistemin e ri të përpunimit të ujërave të zeza në Pogradec, pjesë e programit të përbashkët Shqipëri-Gjermani-Zvicër për ruajtjen e liqenit të Ohrit. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, kombit mik gjerman, ambasadorit gjerman në Tiranë, KfW dhe kompanitë që shndërruan në realitet këtë projekt jetik për qytetin e Pogradecit dhe liqenin e Ohrit. “Unë sapo jam kthyer nga një vizitë e shkëlqyer në Gjermani, ku u takova me kancelaren Merkel. Pata shumë kënaqësi që m’u dha mundësia t`i shpreh asaj dhe kombit të saj mirënjohjen më të madhe për angazhimin, interesin, mbështetjen dhe nderin e madh që i kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve”. J. GJ