E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, në pranga 3 zyrtarë, shpërdoruan detyrën, nën hetim edhe 19 mjekë

VLORE - Policia e Vlorës prangosi 3 zyrtarë të institucioneve lokale dhe 4 persona të tjerë, drejtues autoshkollash dhe krerë të Kryqit të Kuq, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe manipulim në dhënien e dëshmive të aftësisë për drejtimin e automjetit. Operacioni i policisë, i koduar “Kolapsi”, është shtrirë në qytetet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.

Policia bëri të ditur se në pranga kanë rënë shtetasit Kleansi Peci, përgjegjës i tatim/taksave në Vlorë, Xhevair Basha ish -kryetar i komisionit për pajisjen me dëshmi aftësie për drejtimin e automjeteve në Vlorë, aktualisht me të njëjtën detyrë në Gjirokastër dhe Luan Troka, ish- anëtar i komisionit, aktualisht me të njëjtën detyrë në Fier. 

Në pranga kanë rënë edhe Lirian Selmanaj kryetar i Kryqit të Kuq Shqiptar, Gjergji Dhiamanti sekretar i Kryqit të Kuq, Limoz Alia administrator dhe instruktor i një autoshkolle në Vlorë, Altin Demiri instruktor i një tjetër autoshkolle në këtë qytet.

Ndërkohë mësohet se po hetohen në gjendje të lirë 19 mjekë të komisioneve ligjore që kanë lëshuar raporte, për përfitimin e dëshmive të aftësisë për përdorimin e automjeteve.

“Arrestimi i këtyre shtetasve si dhe fillimi i procedimit penal në ngarkim të 19 mjekëve është kryer pasi nga hetimet e kryera Ka rezultuar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin në më shumë se 22 raste të dokumentuara, kundrejt shumave të caktuara monetare falsifikonin dokumentet zyrtare për persona të cilët nuk ishin të pranishëm por emigrantë jashtë shtetit duke i pajisur ata me leje drejtimi. Procedurat për pajisje me leje drejtimi kryheshin nga vetë komisionerët, dhe punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Vlorë.”- bëri të ditur policia e Vlorës.

Në ngarkim të këtyre shtetasve Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shpërdorim të detyrës”, “Falsifikimi të formularëve nga personi që ka për detyre të hartojë formularin”, dhe “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›