Vodafone dhuron gjak për talasemikët
Punonjësit e Vodafone Albania dhurojnë gjak, për të shpëtuar jetët e fëmijëve që vuajnë nga talasemia. Në ditën ndërkombëtare të dhurimit vullnetar të gjakut, më shumë se 60 punonjës të Vodafone Albania dhuruan gjak, si një ndihmë për të shpëtuar jetët e fëmijëve që vuajnë nga talasemia. Ky është viti i gjashtë që punonjësit e Vodafone Albania ju përgjigjën thirrjes së kryqit të Kuq Shqiptar, për dhurim vullnetar gjaku. Dhurimi i gjakut u krye sot në mjediset e Zyrave Qendrore të Vodafone Albania. Vullnetarët u përshëndetën dhe falënderuan nga përfaqësues të lartë të Kryqit të Kuq Shqiptar, kompanisë Vodafone Albania dhe Fondacionit Vodafone Albania. Folësit në këtë ceremoni nënvizuan rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe i bënë thirrje shoqërisë shqiptare që të tregojë kujdesin e duhur këtij gjesti njerëzor që shpëton jetë. Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar z. Zamir Muça tha se njerëzit e Vodafone vijojnë të tregojnë respekt dhe të japin ndihmë të vërtetë ndaj njerëzve, jetët e të cilëve varen nga gjaku i dhuruar, veçanërisht fëmijët që vuajnë nga talasemia. Z. Muça tha se mbështetja e dhënë nga Vodafone duhet të shërbejë si një shembull model i organizatave që tregojnë kujdes për komunitetet rreth tyre.